“Nisja e turneut të Thaçit, ndihmë fushatës së koalicionit të mesnatës”

LDK ka thënë se turneu i nisur nga Thaçi për të vizituar shkollat është fushatë në ndihmë të  koalicionit të mesnatës

Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmes një reagimi ka thënë se nisja e turneut të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nëpër shkolla të ndryshme, gjoja për t’i vizituar nxënësit dhe mësimdhënësit, janë përpjekje e tij për t’i dalë në ndihmë fushatës së koalicionit të mesnatës, për krijimin e të cilit, një rol të rëndësishëm ka luajtur ai.

“Praktikat e mëhershme të trajtimit të padinjitetshëm të mësimdhënësve nëpër fushata zgjedhore, sikur rasti në balotazhin për kryetar të Komunës së Drenasit, të aplikuara nga Thaçi, kanë dëmtuar reputacionin e institucionit të Presidentit të Republikës”, thuhet në reagim.

LDK ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi, të heqë dorë nga turneu i tij parazgjedhor nëpër shkollat e Kosovës.

“Këtë kërkesë e bëjmë për të evituar shkeljen kushtetuese, të cilën do të ishim të detyruar ta adresonim. Duke e parë humbjen e sigurt të koalicionit të mesnatës, Thaçi po përpiqet që të ndryshojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për të çkapur shtetin dhe institucionet”, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së kjo nuk është hera e parë që Thaçi ndërhynë tek institucionet e pavarura për t’i krijuar favore partisë së tij – PDK-së.

“Thaçi ka qenë pengesa kryesore gjatë procesit të çkapjes së Doganave të Kosovës, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në procesin e zgjedhjes së drejtorit. Qytetarët e Kosovës e dinë se pas çkapjes së Doganave dhe Administratës Tatimore nga Qeveria e drejtuar nga LDK, të hyrat në arkën e shtetit u shtuan 400 milionë euro. Këto mjete edhe më parë kanë mundur të inkasohen po të kishte vullnet politik”.

“Më shumë sesa për fushatën e tij mbështetëse ndaj koalicionit të mesnatës, mësimdhënësit kanë nevojë të përqendrohen në përmbylljen me sukses të vitit shkollor.Duke qenë të përkushtuar për ta mbështetur reformimin dhe forcimin e sistemit arsimor, të degraduar nën menaxhimin e Thaçit si ish-kryeministër dhe bashkëpartiakëve të tij në koalicionin e mesnatës, ne u bëjmë thirrje të gjithë garuesve në këto zgjedhje ta lënë arsimin dhe mësimdhënësit të qetë nga diktatet partiake”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Po ashtu në reagim e LDK thuhet se ,”ne ju bëjmë thirrje oponentëve tanë politikë, duke përfshirë edhe Thaçi si i rreshtuar kah koalicioni i mesnatës, që të mos keqpërdorin taksat e qytetarëve për qëllime elektorale.Në programin tonë për arsimin, ne ofrojmë zgjidhjen për rritjen e cilësisë së arsimit dhe garantojmë se rezultatet e testit PISA do t’i takojnë të kaluarës”.

Ndryshe presidenti Thaç sot ka vizitur shkollën “Abedin Rexha” në Burojë./21Media

Back to top button