4.2 milionë turistë vizituan Shqipërinë më 2016

Numri i turistëve është rritur me rreth 15%

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, Milva Ekonomi, mori pjesë në aktivitetin turistik ‘Ditën e Turizmit Malor’, organizuar nga Bashkia e Malësisë së Madhe, në pikën turistike të Razmës, një event turistik për të promovuar vlerat e veçanta të turizmit natyror në këtë zonë të bukur në veri të Shqipërisë.

Ekonomi tha se kjo është ngjarja turistike malore e dytë radhazi ku ajo marr pjesë këtë vit, ndërsa ka  falënderuar kreun e Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, për vëmendjen dhe kujdesin që tregon për promovimin e zonës.

Më tej, ministrja Ekonomi u ndal te reformat ekonomike në përgjithësi që ka kryer kjo qeverisje në 44 muaj të mandatit të parë, përfshi dhe sektorin e turizmit.

“Pa reforma nuk mund të shkojmë përpara për një zhvillim të denjë ekonomik të Shqipërisë. Në qendër të zhvillimit ekonomik duhet të jetë qytetari shqiptar, i cili që duhet të trajtohet me të njëjtin dinjitet si qytetarët e tjerë në Evropë”, tha Ekonomi.

Ajo u ndal te shifrat e turizmit që për vitin e kaluar kanë qenë shumë pozitive, duke shpresuar të ruhet i njëjti trend dhe këtë vit.

Ekonomi tha se vjet numri i turistëve u rrit me rreth 15% më shumë, apo 4.2 milionë turistë vizituan Shqipërinë më 2016.

“Por që burimet natyrore siç është dhe Razma, të kthehen në destinacione turistike, duhet patjetër që të kesh rend publik dhe siguri, të cilin ne e kemi arritur si dhe të kesh rrugë më të mira, dhe prandaj fondet shkojnë pikërisht në rindërtimin e këtyre rrugëve, ndërkohë që këto rrugë duhet të krijojnë lidhje me burimet turistike”,  tha ministrja Ekonomi.

Aktiviteti vazhdoi me këngë e valle, me të ftuar të ndryshëm dhe me humor, duke krijuar një atmosferë mjaft festive në këtë fillim sezoni veror.

Back to top button