4 milionë euro për rrugët që dërgojnë në Prevallë dhe Brezovicë

Mudësi për turizëm dhe investime

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka bërë të ditur se janë ndarë mbi 4 milionë euro për dy degëzime që dërgojnë për në Prevallë dhe në Brezovicë.

Sipas Lekajt, ky investim do të mundësojë qasje më të lehtë në bukuritë e këtyre dy vendeve.

“Mbi 4 milion euro për rehabilitimin e rrugëve regjionale, R115 dhe R210, dy degëzime që të dërgojnë për në Prevallë dhe në Brezovicë. Ky investim do të mundësojë qasje me të lehtë në bukuritë e Prevallës dhe Brezovicës, komunikim më të shpejtë për komunitetin që jeton në këtë zonë dhe rritje të kapaciteteve për zhvillim të turizmit”, tha Lekaj përmes një postimi në “Facebook”.

Sipas Lekajt, investimi do të ndodhë edhe në zonën e Komunës së Shtërpcës e për të diskutuar lidhur me këtë investim që do të bëjë Ministria e Infrastrukturës, sot ministri priti në takim kryetarin, Bratislav Nikoliq. “E njoftova se si Ministri në këtë pjesë të R115, do të investojmë 1.2 milion euro dhe do të ndërtojmë një infrastrukturë me të gjitha elementet përcjellëse”, tha ai.

Lekaj tha se përmes investimeve në zonat e mrekullueshme malore të Kosovës, vendin e afrojmë edhe më tepër me turistët dhe investitorët./21Media

Back to top button