Mbi 10 të tjerë tentuan vetëvrasje

Mbi 10 të tjerë tentuan vetëvrasje

26 marsi ishte nata kur një i mitur i moshës 13 vjeçare i dha fund jetës duke e varur vetën, në fshatin Sojevë të Ferizajt. Ndërsa, vetëm në dy muajt e parë të vitit 2019, janë raportuar 4 vetëvrasje dhe 13 tentim vetëvrasje.

Policia e Kosovës në një përgjigje elektronike për portalin rtv21.tv tha se në janar është kryer 1 vetëvrasje dhe 8 tentim vetëvrasje, ndërsa në muajin shkurt i kishin dhënë fund jetës së tyre 3 persona, ndërsa 5 të tjerë kishin tentuar të vetëvriteshin.

Megjithatë sipas policisë numri i rasteve vrasje, vetëvrasje dhe tentim vetëvrasje mund të ndryshojë gjatë hetimeve të rasteve që për momentin konsiderohen si “vdekje e dyshimtë”.

“Policia i heton këto raste kur dyshohet se personi është shtyrë të bëjë një veprim të tillë, pra “shtyrja në vetëvrasje” dhe kur mendohet se i/e vetëvrari-ja është ndihmuar për të kryer aktin, pra ,,ndihma në vetë vrasje”. Vetëvrasja si akt nuk është vepër penale, kurse ,,shtytja…” dhe ,,ndihma…” janë vepra penale në bazë të KP të Kosovës”, thuhet në përgjigjën e Policisë së Kosovës për rtv21.tv.

Vetëvrasjet janë të parandalueshme!

Psikologu, Aliriza Arënliu për portalin rtv21.tv tha se kryesisht shkaktarët grupohen në tre faktorë: social, psikologjik dhe ato biologjik.

Sipas profesorit universitar, në disa studime në Kosovë më adoleshentë faktorë rrezikues për tentim vetëvrasje janë raportimi i simptomeve të depresionit dhe ankthit, ndryshime te shpejta në jetën e adoleshentit, përdorimi i substancave psikoaktive dhe historia e tentim vetëvrasjes në të kaluarën.

Megjithatë Arënliu tha se në shumicën e rasteve vetëvrasjet janë të parandalueshme dhe sipas tij mjafton kontakti me institucionet shëndetësore apo me institucionet ku ofrohen shërbime të shëndetit mendor.

Rrezikshmëri më e madhe të shoqëritë e dala nga lufta!

Psikologu tregoi për portalin rtv21.tv se ky fenomen shënon rritje në çdo shoqëri që del nga luftërat.

“Duket se transformimet sociale shkaktojnë ndryshime të mëdha edhe në mënyrën e jetesës dhe të konstalacioneve të vjetra sociale të cilat shpërbehen dhe personat që kanë një cenueshmëri më të lartë për çrregullime të ndryshme mbesin pa një përkrahje të duhur posaçerisht në vendin tonë ku shërbimet e shëndetit mendor janë ende të stigmatizuar”, u shpreh Arënliu.

Problemet nuk janë TURP!

Sipas psikologut problemet e shëndetit mendor në çdo shoqëri janë prezente, por problemi qëndron se njerëzit kanë turp ose stigmatizohen nëse i shprehin preokupime të ndryshme emocionale që mund te kenë.

“Shpesh konsultimi i hershëm me mjek familjar, psikiatër, psikolog mund të lehtësojë problemet e ndryshme emocionale që njerëzit mund t’i përjetojnë si pjesë e natyrshme të zhvillimit të tyre”, ka theksuar ai.

Arënliu tha se Kosova krahasuar me shtete të tjera është në kuadër të shteteve me prevalencë të ultë të vetëvrasjes. Megjithatë ai shtoi se për Kosovën duhet të jetë brengosëse rritja e numrit të vetëvrasjeve dhe tentimvetërvasjeve (gati 300%) në krahasim me vitet para 1999.

Në një periudhë 4 vjeçare në Kosovë, 171 persona kishin vrarë vetën, ndërsa në periudhën e njëjtë (2015-2018) 819 persona të tjerë kishin tentuar vetëvrasje./21Media