40 maune me naftë bllokohen në Morinë

Më shumë se 1 milionë litra naftë janë bllokuar në terminalin Doganor në Morinë

Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, konfirmuar se numri i maunave me naftë jocilësore, të bllokuar në terminalin Doganor në Morinë, ka arritur në 40.

Më shumë se 1 milion litra naftë e cilësisë shumë të dobët gati prej një jave është bllokuar në Terminalin Doganor në Morinë, pasi që nga analizat e bëra në laboratorin e Doganës, si dhe në dy laboratorë privatë të akredituar në Kosovë, ka rezultuar se nafta në fjalë nuk i plotëson kriteret e parapara në vendin tonë.

Por, pavarësisht se në tri analizat e bëra në vendin tonë, nafta në fjalë ka dalë të jetë jashtë parametrave, me insistimin e pronareve të kompanive, të cilëve u është bllokuar nafta, Dogana i ka dërguar mostrat për superanalizë në Maqedoni, e ku ka dyshime të manipulimit të tyre.

Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, ka thënë se deri më tash në Terminalin Doganor janë bllokuar më shumë se 40 autobote.

“Dogana rregullisht aplikon kontrolle të cilësisë së naftës dhe ne marrin mostra të cilat pastaj dërgohen në laborator për t’u kontrolluar, me udhëzimin mbi konformitetin e naftës dhe derivateve të saj. Dogana pas marrjes së përgjegjësisë, sipas udhëzimit 01/2017 të MTI-së, ka aplikuar sistemin e kontrolleve të bazuara në analizat e riskut. Pra, ne kontrollojmë në aspekt cilësor, përmes matjeve kundrejt konformitetit. Derisa rasti i fundit është i ndërlidhur me tejkalimin e parametrave të lejuar për disa dërgesa të naftës, gjithsesi se me duhet të theksoj se sipas analizave tejkalimi i parametrave është i ulët. Pasi dallimi është shumë i ulët, prandaj edhe janë dërguar edhe një herë për superanalizë”, ka thënë Stavileci për gazetën “Zëri”.

Më tutje zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë bërë të ditur se Dogana ka dërguar mostrat për superanalizë në një laborator jashtë Kosovës.

Kurse Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka bërë të ditur se maunat e bllokuara ne naftë nuk janë konform udhëzimit administrativ, pasi që nuk i plotësojnë parametrat e cilësisë. Berjani ka thënë se nafta e cila është bllokuar në kufij ka ardhur nga Shqipëria, e ku ka origjinë nga Spanja.

“Tani kjo dëshmon se edhe në të kaluarën është futur naftë jocilësore nga importi, ky është një shembull se derivatet nuk prishen në pika karburanti, por importohet jocilësore. Derivati ka qenë i destinuar për tregun e Kosovës. Sikur mos të ishte kontrolluar në kufij, ky derivat do të shpërndahej nëpër pika karburanti dhe me rastin e monitorimit nga MTI-ja për cilësi, ishin gjobitur minimumi nga 10 mijë euro për këtë derivat jocilësor jokonform pa fajin e tyre”, ka thënë Berjani.

 

Back to top button