40 subjekte të lojërave të fatit të mbyllura dhe 213 mijë euro gjoba
Divizioni i Lojërave të Fatit, do të vazhdoj me aksione të tilla
Divizioni i Lojërave të Fatit gjatë javës së kaluar ka zhvilluar edhe një aksion në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt më qëllim të identifikimit të subjekteve të lojërave të fatit, të cilat jashtëligjshëm ushtrojnë këtë veprimtari.
“Gjatë aksionit në fjalë, inspektoret kanë vizituar 13 biznese të lojërave të fatit, tek të cilat janë konstatuar parregullsi të ndryshme, për sa i përket ushtrimit të kësaj veprimtarie. Gjithsej 5 subjekte janë mbyllur, pasi që të njëjtat kanë vepruar pa licencë të ATK-së. Po ashtu janë lëshuar gjoba në vlerë 89,000 euro.
Nëse flasim në total, vetëm gjatë muajit Janar dhe Shkurt të këtij viti ATK ka mbyllur 40 subjekte të lojërave të fatit, të cilat njëkohësisht janë ndëshkuar me gjoba në vlerë 213,000 euro” , thuhet në njoftimin e Administratës Tatimore të Kosovës.
Divizioni i Lojërave të Fatit, do të vazhdoj me aksione të tilla në çdo kohë, bazuar në autorizimet që i jep Ligji Nr.04/L-080.