"Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri"

“Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”

Sot kur në të gjithë botën bëhet fushatë të Drejtat e Njeriut, bëhen 40 vjet që kur Nënë Tereza pranoi çmimin Nobel për Paqe.

Më 10 dhjetor të vitit 1979, në Oslo të Norvegjisë, Nëna Terezë u shpall nobeliste, duke u bërë kështu shqiptarja e parë fituese e çmimit më prestigjioz në botë.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, në vitin 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte.

“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”, kishte deklaruar ajo.

Atë ditë e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Ka hasur në vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj.

Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel më 1979.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7 mijë e 500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 mijë viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 mijë e 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve tetëdhjeta.