5 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale në Ferizaj

Gashi bëri të ditur se ky është projekti i parë në Kosovë i këtij lloji

Komuna e Ferizajt dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe bashkëfinancimi për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale.

Ky projekt i cili do të ndërtohet në qytetin e Ferizajt, arrin vlerën e rreth 5 milionë euro, ndërsa do të ketë hapësira për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore si: sallë koncertale, sallë teatrale, hapësira për galeri si dhe Muzeu i Qytetit.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi u shpreh i kënaqur që në fund të mandatit të tij, po mundësohet edhe realizmin e  këtij projekti kapital i cili sipas tij  arrin vlerën rreth 5 milionë euro.  Gashi bëri të ditur se ky është projekti i parë në Kosovë i këtij lloji.

“Është projekti i parë në Republikën e Kosovës, e tha edhe kryetari e ka një kosto prej rreth 5 milionë euro. Është një projekt i cili ngërthen në vete hapësira për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive, në mesin e të cilave do të ketë edhe një sallë prej 840 ulëseve, pastaj pjesa ose hapësira për galeri. Gjithashtu pjesë e Qendrës Multufunksionale do të jetë edhe Muzeu i Qytetit, poashtu salla koncertale edhe salla teatrale”, tha ai.

Gashi bëri të ditur se ky nuk është projekti i vetëm për qytetin e Ferizajit. Tha se janë edhe 10 milionë euro që parashihen të investohen për projekte të ndryshme kulturore e sportive për këtë komunë.

“Sigurisht që ky nuk është projekti i vetëm në këtë qytet që po investojmë. Pra janë edhe rreth 10 milionë euro që në vitin 2019-2020 dhe 2021 parashihen të investohen në këtë  qytet të  bukur të Republikës së Kosovës, siç e dini muaj më parë kemi nënshkruar edhe memorandume të ndryshme për sa i përket  edhe renovimit të stadiumit të qytetit, pastaj jemi në finalizim të sallës së sporteve dhe sallës së panaireve në fshatin Greme, gjithashtu edhe renovimi i teatrit aktual që është  gjithashtu një investim i joni i përbashkët por shumë i rëndësishëm duke e pasë parasysh se Ferizaj, komuniteti artistik në Ferizaj kanë një traditë jashtëzakonisht të mirë edhe të zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore”, tha Gashi.

Ministri në detyrë,  rikujtoi se në Ferizaj MKRS-ja, ka mbështetur edhe shumë festivale si dhe organizmin për herë të parë të Panarit të librit.

Ndërsa kryetari i Komunës së Ferizjajt, Agim Aliu, se rëndësia e këtij projekti është e madhe dhe se një projekt i tillë i ka munguar shumë komunitetit artistik në Ferizaj.

Tha se me ndërtimin e Qendrës Multifiunksionale, Ferizaj do të shndërrohet në një kryeqytet kulturor.

“Sot me ministrin nënshkruam një projekt unik, një projekt që mungon në gjithë Republikën e Kosovës, e që do të fillojë procedurat e prokurimit në Ferizaj që ka të bëjë me sallën koncertale., respektivisht me Qendrën Multifunksionale. Ishte një projekt i synuar kaherë, por ja që sot me nënshkrimin dhe siç e dini si pjesë e kodit buxhetor, përfunduam edhe atë që fillon si procedurë e prokurimit. Është një projekt që do të ketë një vlerë afërsisht 5 milionë euro, por mbi të gjitha nuk është rëndësia te vlera materiale. Rëndësia e një projekti të tillë të  munguar është ajo se plotëson nevojat, kërkesat e grupeve artistike e që jo rastësisht Ferizajn e kanë shndërruar në një  kryeqytet kulturor”, tha Aliu.

Ish-deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se bashkëdyzimi i ministrisë dhe i komunës ka bërë që të gjitha projektet e filluara të përfundojnë. Reçica tha me se me  investimet që janë bërë në këtë komunë, Ferizaj e meriton të jetë qendër e dytë kulturore.

“Është shumë me rendësi që Gashi i cili vjen nga një qytet që është i Kulturës, dhe që ka një  trashëgimi të jashtëzakonshme për Kosovën pa diskutim jeni të parët, e ka marrë një mesazh të qartë në raport me Ferizajn dhe komunikimin me Aliun. Që do të duhej që Ferizaj të jetë një qendër e dytë kulturore në Kosovë, dhe vërtetë investimet, mbështetja dhe projektet që janë për të ardhmen janë duke e dëshmuar këtë”, tha Reçica.

Back to top button