Kurti u takua me ambasadorin e Shqipërisë

Kurti u takua me ambasadorin e Shqipërisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, priti sot në zyrën e tij ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

Në njoftimin e Vetëvendosjes në Facebook thuhet se Minxhozi e uroi kryetarin Kurti “për rezultatin zgjedhor dhe për organizimin e fushatës që arriti t’i adresojë me sukses brengat e qytetarëve të Republikës”. Ai përshëndeti daljen e madhe të qytetarëve në këto zgjedhje.

Tutje në njoftim thuhet se Kurti e falënderoi ambasadorin Minxhozi për urimin dhe e njoftoi atë për nismat që do t’i ndërmarrë qeveria e re në funksion të sovranizimit, zhvillimit dhe bashkëpunimit të Kosovës e Shqipërisë.

Ne do të angazhohemi, tha ai, që në të ardhmen të kemi komisione të përbashkëta qeveritare sa i përket politikës së jashtme, burimeve natyrore dhe mbrojtjes e sigurisë. “E, po ashtu, edhe një regjistër të përbashkët të bizneseve e për një regjistër të përbashkët civil, për sistem unik doganor, për një sistem të integruar elektro-energjetik dhe për një treg të përbashkët. 50 marrëveshjet e nënshkruara mes shteteve tona nuk do të mbesin në letër por do të zbatohen”./21Media