Deklarimet e liderëve pas takimit

Ahmeti tha se ishte takim normal, ndërsa Thaçi tha se ”Besa” ka kërkesa të pakuptimta

Ka përfunduar takimi në mes dy liderëve, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Kyetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti theksoi se ky takim ka pasur për qëllim gjetjen e mënyrave sa më efikase për zbatimin e Marrëveshjes së Shkupit.

“Mbetet që edhe në të ardhmen të vazhdohen këto takime dhe të shohim se si t’i koordinojmë edhe më mirë punët që më me lehtësi të arrijmë te realizimi i pikave të kësaj marrëveshje”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare? Menduh Thaçi tha se mbajnë përgjegjësi për qëllimet strategjike të shqiptarëve siç është integrimi në NATO dhe BE si dhe avancimi i pozitës së shqiptarëve në vend. ”I thash zotit Ahmeti se ne do të vazhdojmë ta kultivojmë opozitën shqiptare, ani pse s’kemi shumë vota por ne kemi mandat dhe këtë mandat nuk do ta tradhëtojmë. Por kjo nuk do të thotë që ne mos t’i harmonizojmë qëndrimet”, tha Thaçi pas takimit me Ahmetit.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë ofertë për t’u bërë pjesë e ekzekutivit, Thaçi tha se kjo nuk ka qenë pjesë e bisedimeve. Ndërsa në pyetjen se a do të ketë takime edhe me drejtuesit e tjerë të partive ai tha se drejtuesit e Lëvizjes Besa kanë kërkesa të pakuptimta.

Ndërkohë, kujtojmë se menjëherë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve që u mbajtën më 11 dhjetor vitin e kaluar, Thaçi pranoi humbjen por si fituese të zgjedhjeve e cilësoi Lëvizjen Besa, duke i ofruar bashkëpunim të plotë, qëndrim ky që Thaçi tashmë e ka ndryshuar, shkruan TV21./21Media

Back to top button