Afër 100 mijë euro janë ndarë për 31 organizata të udhëhequra nga gratë

Afër 100 mijë euro janë ndarë për 31 organizata të udhëhequra nga gratë

Fondi i Grave të Kosovës ka ndarë afër 100 mijë euro për 31 organizata, katër prej të cilave janë partneritete të udhëhequra nga gratë në Kosovë. Këto iniciativa do të kontribuojnë direkt në zbatimin e Strategjisë së RrGGK 2015-2018, e cila është përpiluar bashkë me anëtaret e RrGGK.

Këto grante janë mundësuar me përkrahjen e Austrian Development Agency dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Drejtoresha ekzekutive e RrGGK, Igballe Rogova, tha se duke shpresuar që në qeverisjen e ardhshme të ketë më shumë gra ministre do të ndajnë sot gati 100 mijë euro për organizatat e grave që janë anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës.

Zëvendësshefi i sektorit të Bashkëpunimit i Zyrës së BE-së në Kosovë, Libor Chlad, tha se kjo nismë është e financuar nga BE-ja dhe se bashkëpunojnë me Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës, ku ai tha se shpreson që ky bashkëpunim të vazhdojë.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet në Kosovë duke thënë se do të donte të shinte më shumë gra në legjislaturën e re.

Kreu i Zyrës Austrian Development Agency, Gunther Zimmer, tha se kjo agjenci ka në fokus që projektet që kanë të bëjnë me barazinë gjinore të respektohen. “Dua të theksoj se ADA është në Kosovë që nga vitin 99 dhe gjithmonë fokusi ka qenë që projektet të zbatohen me fokus të veçantë në barazinë gjinore”, tha ai duke shtuar se shpreson që këto grante të cilat po i marrin gratë, të kenë ndikim në fuqizimin e grave.

Disa nga këto organizata të cilat kanë përfituar këto grante janë, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) me iniciativën: “Kujdesi shëndetësor është i mirë atëherë kur ka qasje për të gjithë”, Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut me iniciativën: “Gratë vendim-marrëse”, Vita Jeta me iniciativën: “Diabeti tek të moshuarit”, Qendra për Fuqizimin e Gruas me iniciativën: “Fuqizimi ekonomik i grave – nënave kryefamiljare”, Luna me iniciativën: “Shëndeti i grave dhe liria e lëvizjes” etj. /21Media