53% e tatimpaguesve hezitojnë të raportojnë korrupsionin në ATK

Prezantohen rezultatet e anketës me tatimpagues

Ndonëse shumica e tatimpaguesve kosovarë kanë deklaruar se në përgjithësi janë të kënaqur me shërbimet e ATK-së gjatë vitit 2017, 31 për qind e bizneseve thonë se ka korrupsion. Ndërsa mbetet shqetësues numri i atyre që hezitojnë të flasin për këtë dukuri. Kështu bëri të ditur drejtoresha e kompanisë “UBO Consulting”, Valmira Rexhbeqaj, me rastin e prezantimit të rezultateve të anketës me tatimpagues për vitin 2017 lidhur me transparencën, efikasitetin, korrektësinë dhe shërbimet e ATK-së.

Siç tha ajo, rimburësimi, dokumentimi dhe llogarimbajtja janë procedurat më të vështira në të cilat hasin, derisa shtoi, se disa nga tatimpaguesit kanë deklaruar se ATK-ja nuk iu kërkon llogari në mënyrë të njëjtë të gjithë tatimpaguesve.“ATK-ja shumë më lehtë na vjen neve tatimpaguesve të vegjël për të na kërkuar llogari sesa që mund t’iu qasen bizneseve të mëdha. Dhe mendoj që kjo ka dalë si deklaratë nga tatimpaguesit dhe gjendet në raport e mua më duhet me e përcjell… 43’ Rreth 31 përqind të tatimpaguesve kanë deklaruar që korrupsioni është prezent, ndërsa 53 përqind e tyre kanë hezituar të japin përgjigje dhe diku rreth 10 përqind kanë thënë se nuk është prezent. Ajo që na ka shqetësu është se një pjesë e madhe e tatimpaguesve ka hezituar të jap përgjigje në këtë pyetje”, tha ajo.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri tha se mënyra më efektive për të përfituar dhe mbajtur përmbushjen vullnetare, është ndërtimi i raporteve të besimit dhe respektit të ndërsjellë në mes të ATK-së dhe tatimpaguesve të Kosovës. “Anketa e dytë ka këtë qëllim, që ne t’i identifikojmë të metat tona, aty ku tatimpaguesit konsiderojnë dhe vlerësojnë veprimet tona si të pamjaftueshme në ofrimin e shërbimeve për ta. Bazuar në të gjeturat e kësaj ankete ne do t’i orientojmë aktivitetet tona në mënyrë që tatimpaguesit t’i realizojnë të drejtat e tyre që i takojnë me ligj, dhe nuk do të lejojmë që ato të drejta të cenohen në çfarëdo forme”, tha ai.

Imeri u shpreh i bindur se tatimpaguesit do t’i bashkohen ATK-së duke dhënë kontributin e tyre, për të siguruar se trajtimi nga ana e ATK-së është i drejtë dhe ligjor dhe se secili është duke paguar pjesën e vet të drejt. Ai tha se në këtë mënyrë, shteti i Kosovës mund të sigurohet për të hyrat dhe do të mundësojë të plotësojë obligimet e veta për qytetarët.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, tha se do të shikojnë të gjitha të metat që kanë deklaruar tatimpaguesit, në mënyrë që t’i rregullojnë ato. “Ne jemi këtu që së bashku me ATK-në, t’ ngritim të gjitha ato kapacitete të cilat janë të nevojshme për përmbushjen e këtyre rekomandimeve të cilat kanë dal këtu. Edhe MF do t’i ketë në strategjitë e veta, së bashku me ATK-në, implementimin e këtyre rekomandimeve”, tha ai.

Kadri Jõgiste, udhëheqëse e projektit për Reformë në Sistemin e Financave Publike në Kosovë nga GIZ vlerësoi se ATK po bënë përpjekje për përmirësimin e raporteve me tatimpaguesit. Ajo bëri të ditur se GIZ do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët aktual edhe në vitet 2019-2020. “Kjo ka të bëjë me ndërtimin e besimit në marrëdhëniet e tatimpaguesve sepse nuk jemi për t’i zënë ata që të mos t’i paguajnë tatimet, por t’i stimulojmë që t’i bëjnë pagesat në mënyrë vullnetare. Gjithashtu kjo anketë tregon për shërbime të përmirësuara nga ana e ATK-së”, tha Jogiste.

Sa i përket rimbursimit të TVSH-së, nga studimi del se 12 për qind e të anketuarve kanë pasur rast konkret të paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, ku nga ta 62 për qind e vlerësuan procedurën si të lehtë dhe 36 për qind si të vështirë; 89 për qind kanë marrë përgjigje përfundimtare nga ATK, ku 45 për qind prej tyre janë rimbursuar, ndërsa 39 për qind nuk janë rimbursuar.

Ndryshe, anketa përfshinë 1 mijë e 250 tatimpagues në 38 komuna të Kosovës. Ndërsa, motivet kryesore për zhvillimin e këtij studimi ishin pasqyrimi i shqetësimeve që tatimpaguesit kanë, krahasimi me të gjeturat e viteve tjera dhe shfrytëzimi i këtyre të fundit nga ana e ATK-s gjatë hartimit të planit strategjik.

Back to top button