"Ministria e Mbrojtjes ka bërë një raport të parë"

“Ministria e Mbrojtjes ka bërë një raport të parë”

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë së Shqipërisë, Elisa Spiropali tha sot se deri më tani janë dëmtuar 550 banesa, si pasojë e tërmeteve të fundit në vend.

“Shtabi i emergjencës është i tëri në funksion. Prefekturat, bashkitë dhe të gjitha ministritë dhe deputetët janë të shpërndarë kudo dhe janë evidentuar të gjithë banesat që kanë marrë dëmet më të mëdha”, tha Spiropali.

Spiropali ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e të lënduarve si pasojë e tërmeteve janë kthyer në shtëpitë e tyre, derisa ata që janë prekur nga kriza e ankthit janë ende nën kujdesin e mjekëve.

“Nuk kemi probleme të fondit të emergjencës apo fondit që na duhet në vazhdim. Ministria e Mbrojtjes ka bërë një raport të parë, rreth 550 banesa janë dëmtuar. Duhet parë pastaj, kanë dëmtime më të lehta apo të pabanueshme. Nuk mund të flasim tani për të gjithë llogarinë e dëmit, por të gjitha qeveritë mike të Shqipërisë janë treguar shumë të gatshme për të na ndihmuar”, tha ajo.