6 milionëshi “përplasi” Uran Ismajlin dhe Avdullah Hotin

Ismajli u shpreh se mungesa e revidimit të listës së barnave esenciale ka ndikuar që pacientët të mos marrin trajtimin e duhur

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli sot raportoi para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Por, “mollë sherri” për diskutim në mes ministrit Ismajli dhe deputetit, Avdullah Hoti ishte keqpërdorimi i gjashtë milionë eurove të barnave të listës esenciale.

Gjatë kësaj mbledhjeje, komisioni shqyrtoi raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017.

Ministri Ismajli u shpreh se rritja e çmimeve për barna është bërë në mënyrë astronomike dhe nuk ka pasur kontroll, andaj ka kërkuar që një dukuri e tillë të mos përsëritet.

Ai tha se  për këtë çështje nuk ia ka drejtuar gishtin asnjë personi dhe falë hulumtimit të tregut kanë arritur të blejnë barna me një çmim më të lirë për 6 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.

“Të paktën me e pasur një hulumtim të tregut si bazë, mirëpo gjithnjë është marrë një parallogaritje kështu e brendshme për mënyrën se si blihet bari. Sistematike është kjo kur nuk ke menaxher të kontratave nuk ka përgjegjësi individuale, është munduar të shpërndahet përgjegjësia dhe kur është shpërndarë përgjegjësia secili njeri ndoshta e ka abuzuar nga pak sistemin dhe ndoshta është ardhur në një gjendje të tillë. Unë nuk po ia lë dhe asnjëherë nuk ia kam lënë fajin një personi, asnjëherë nuk ia kam ngritur gishtin vetëm një personi. Ne kemi blerë barna 6 milionë euro më lirë se vitin e kaluar 6.02, pra barnat janë të njëjta të listës esenciale nuk kemi shpikur barna të rinj”, tha Ismajli.

Për këtë çështje, reagoi anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili u shpreh se pret që nga ministri të shohë veprime për të parë se nga kush janë keqpërdorur mbi 6 milionë euro, pasiqë nëse ai nuk e bën këtë, të tjerët duhet t’i bëjnë këto veprime.

“Unë e kuptoj se të gjithë jemi të veshur nga një petk partiak dhe nganjëherë duke e mbrojtur një qëndrim të caktuar, por kur ke pozitë publike duhet me qenë i përgjegjshëm se çka thua, sepse për çdo fjalë duhet me dhënë përgjegjësi dhe unë kam frikë se disa prej zyrtarëve publikë në këtë rast përfshirë edhe ju. Për shkak të këtij deklarimit që keni dhënë, tentojnë të dalin më mirë para elektoratit, para qytetarëve, para partisë së vetë jo duke punuar më shumë por duke i sha të tjerët duke i bërë të tjerët më u duk më keq, në mënyrë që ti me u duk më mirë. Nuk bën ashtu, ti duhet me punua më shumë. Për çdo shkelje që është bërë në të kaluarën dhe tash janë organet përkatëse të jemi të përgjegjshëm kur flasim publikisht, sepse kur thua 6 milionë eurosh ka pasur janë shpenzuar në afera korruptive neve sot këtu duhet me na e thënë X, Y i ka marrë këto mjete, me këtë datë“,  deklaroi Hoti.

Përgjigjie direkte pati ministri i Shëndetësisë, i cili tha se nuk është në dikasterin e tij që të tregojë se kush i ka marrë ato mjete dhe ku kanë shkuar.

Ismajli tutje deklarimet e Hotit i konsideroi si tentime për frikësime për ekspozim të aferave korruptive, derisa e ritheksoi se në blerjen e barnave esenciale ka pasur korrupsion klasik.

Ministri Uran Ismajli, po ashtu shtoi se nuk ka mundur t’i mbyll sytë para një keqpërdorimi të parave për blerje të barnave të listës esenciale. Pas kësaj përplasjeje, deputeti Avdullah Hoti e lëshoi mbledhjen.

Anëtari tjerët i këtij komisioni nga LDK-ja, Driton Selmani shtroi disa pyetje rreth avanceve dhe ngriti si çështje blerjen më të madhe të insulinave për këtë vit.

E në përgjigjen e tij, ministri Ismajli tha se për avancet janë keqpërdorur në masë të madhe dhe për këtë arsye janë arrestuar 6 persona. Derisa theksoi se blerja më e madhe e insulinave ka rezultuar nga  kërkesat e institucioneve publike.

Gjatë kësaj mbledhjeje u shqyrtua edhe raporti i Auditimit të performances “Lista esenciale e barnave” ku u tha se nuk menaxhohet mirë lista esenciale e barnave, ka mungesë të madhe të barnave në një pjesë të kohës, barnat që porositen vonohen deri në 240 ditë etj.

E lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli u shpreh se mungesa e revidimit të listës së barnave esenciale ka ndikuar që pacientët të mos marrin trajtimin e duhur. Sipas tij, tani me ardhjen e tij në krye të sektorit të shëndetësisë janë duke u marrë edhe me revidimin e kësaj liste përmes së cilës direkt do të ndikohet në xhepin e pacientëve.

Back to top button