ZRRE-ja punësoi njerëz pa kaluar testet

Kështu ka raportuar ​Zyra Kombëtare e Auditorit

Në Zyrën e Rregullatorit për Energji, (ZRRE), janë punësuar recepsionistë dhe ekspertë të bazave të të dhënave, pa kaluar testet e përcaktuara me ligjin përkatës. Punësimet pa kaluar testet e intervistimit janë identifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin e publikuar për ZRRE për vitin 2016-të.

Pagat për punonjësit në këtë institucion njihen si më të larta në vend.

“Auditimi ynë ka identifikuar që për pozitat ‘Recepsionist’ dhe ‘Ekspert i Bazave të të Dhënave’ nuk ishte realizuar testimi me shkrim por vetëm intervistimi i kandidatëve. Sipas zyrtarëve të administratës, kjo ka ndodhur për shkak se për këto pozita kërkohet të vëzhgohen aftësitë e komunikimit. Udhëzimi për Marrëdhënie të Punës (neni5) po ashtu përcakton strukturën e testit me shkrim që përbehet nga tri pjesë: pjesa e njohurive të përgjithshme, pjesa e pyetjeve të aftësive të përgjithshme dhe personaliteti, si dhe pjesa me pyetje që lidhen me vendin e punës. Ne kemi vërejtur se në procesin e rekrutimit për pozitën ‘Asistente e Bordit’ në testin me shkrim është testuar vetëm gjuha angleze“, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori për këtë çështje ka paraparë rrezikun se dobësitë e paraqitura në proceset e rekrutimit reduktojnë konkurrencën dhe mund të rezultojë me angazhim të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.

Back to top button