Shtatë familje jetojnë si në filma horror

Fëmijët në mes të deponisë, me koritë dhe bazen gome lahen në këto ditë të nxehta

Shumica e tyre nuk shkojnë në shkollë por që nga fëmijëria janë të detyruar të punojnë.

Xhemilja së bashku me shtatë fëmijët e saj tashmë pesë vjet jeton në repartin neurologjik të spitalit të Shtipit në Maqedoni . Ajo thotë se fëmijët e saj janë të sëmurë nga zhuga dhe sëmundje të tjera. Xhemilja kërkon nga kryetari i komunës që tu jepet një banesë sociale, pasi që një gjë të tillë ai ua ka premtuar.

“Po e lus si vëlla kryetarin që të bëjë diçka. Këtu më herët kishte edhe injeksione. Këtë të voglin para dy javësh e dërgova në spital por nuk kisha të holla që ta mjekoja”, tha ajo.
Nëntë vjeçarja Maidemedine e ka kryer vetëm klasën e parë. Ajo nuk shkon në shkollë për shkak se fëmijët tjerë e ngacmojë sepse nuk vishet bukur dhe se nuk ka të holla që të blejë bukë. Por ajo dëshiron që ta vazhdojë shkollimin, shkruan TV21.TV

“Dua të shkruaj, të pikturoj. Dua të kem një çantë, rroba të reja, atlete, dua fustan dhe shumë gjëra. Dua të kem kukulla me rroba që të luaj me to në shtëpi, por nuk kam”, u shpreh ajo.

Razije Durmishova është e sëmurë, ka probleme me zemrën. Ajo merr 2000 denarë ndihmë sociale, por të gjithë paratë i shpenzon për barëra.

“Nuk dua të jetoj këtu, por nuk kam ku të shkoj, skam para për qira. Me 2000 denarë jetoj me fëmijët e mijë. Shkoj në konfeksion, ata më thonë se më kanë kaluar vitet, jam 46 vjeçare andaj nuk më pranojnë. Tani mbledh shishe, për 10 ditë mbledh 150-200 denarë”, tha ajo.

Nurije Jasharova, është e sëmurë nga astma dhe bronkiti. Barërat që i blenë kushtojnë më shumë se 2 000 denarë që i merr si ndihmë sociale.

“Unë shkoj për të mbledhur shishe nëpër kontejnerë edhe pse më është thënë se për shkak të sëmundjes nuk duhet të bëjë një gjë të tillë. Fëmija im shkon në klasë të katërt. Unë shkoj nëpër kontejnerë që t’i sigurojë kafshatën e gojës. Edhe vajza nga shtatori do të shkoj në shkollë. Djali i madh nuk shkon për shkak se punon”, tha ajo.

Shtatë familjet jetojnë në një ndërtesë të braktisur, e cila më herët ka qenë repart i neurologjisë në spitalin e Shtipit, me vendim të komunës së Shtipit. Në bisedë telefonike, kryetari i Shtipit, Zahariev tha se nuk e din se deri kur këto familje do të qëndrojnë aty. Ai shtoi se për t’i ndihmuar, komuna ua paguan shpenzimet për ujë dhe energji elektrike. Por Zahariev bën apel deri te Ministria për Punë dhe Politikë Sociale që të merr masa që këtyre familjeve tu siguroj vendbanim./21Media

Back to top button