Vrasje e rëndë në Prizren

Vrasje e rëndë në Prizren

Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00, në Prizren. Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka dhënë për KALLXO.com detaje se si ka ndodhur rasti, duke treguar se i dyshuari ka telefonuar vetë policinë pasi dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij.

Vet i dyshuari e ka telefonuar policinë mbrëmë rreth orës 23:00, dhe ka raportuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij. Megjithatë ende nuk e kam pranuar deklaratën e tij që e ka dhënë në polici dhe ende nuk dihet motivi i saktë i vrasjes”, ka thënë Gashi.

Ajo tutje ka shtuar se është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ku janë gjetur më shumë se një gëzhojë.

Trupi i viktimës është dërguar në IML, ndërsa i dyshuari është në ndalim për 48 orë dhe do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj tij”, ka thënë prokuroria.

Tutje, prokurorja ka bërë të ditur se ka verifikuar nëse nga viti 2005 e deri më tani  ka ndonjë rast të paraqitur për dhunë në familje nga viktima, por e njëjta ka thënë se nuk ka gjetur një rast të tillë.

Policia ka njoftuar se pas intervenimit nga policia dhe emergjenca e Prizrenit të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes është konstatuar për lëndimin e një gruaje për të cilën mjeku ka konstatuar vdekjen si pasojë e lëndimit nga arma e zjarrit.

Njësitë e hetimeve dhe krim teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje policia ka bërë të ditur se i dyshuari me të njëjtën armë ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’.

I dyshuari dhe viktima kanë qenë bashkëshortë. Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orë personi i dyshimtë B.V, 61 vjeçar. Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtutjeshme hetimore”, njofton policia. /kallxo.com