SHBA: Votimi u krye me efikasitet dhe në mënyrë paqësore

Ambasada e SHBA-ve për zgjedhjet në Shqipëri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës uruan sot qytetarët shqiptarë për ushtrimin e të drejtës së tyre demokratike në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Në një deklaratë për shtyp të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, theksohet se Shtetet e Bashkuara urojnë qytetarët shqiptarë për ushtrimin e të drejtës së tyre demokratike të votës në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, votimi u krye me efikasitet dhe në mënyrë paqësore në pjesën më të madhe të qendrave të votimit.

“Ne përgëzojmë punonjësit dhe vëzhguesit e përkushtuar të zgjedhjeve së ditës së votimit, të cilët punuan gjatë një dite feste kombëtare dhe të nxehti ekstrem, për të përmbushur detyrat e tyre. Vëzhguesit ndërkombëtarë dëshmuan incidente të blerjes së votës, fotografimit të fletës së votimit dhe presioni ndaj votuesve. Zyrtarët e zgjedhjeve dhe forcat e rendit iu përgjigjën pjesës më të madhe të këtyre ankesave, disa prej të cilave përfunduan në arrestime”, nënvizohet në deklaratë.

Në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve theksohet se edhe pse disa nga shkeljet zgjedhore të dëshmuara ishin serioze dhe duhen adresuar, ato nuk ishin aq të përhapura sa të ndryshonin rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

Back to top button