65 për qind e fëmijëve të sotëm do të punojnë punë të cilat tani nuk ekzistojnë fare

Mbi 9.5 milionë euro për Qendrën e Inovacionit në Mitrovicë

Gjashtëdhjetë e pesë për qind e fëmijëve të sotëm kur ta arrin moshën e punës, do të punojnë punë të cilat sot nuk ekzistojnë fare. Kjo, pasi që deri në vitin 2020 vendet e zhvilluara në botë do t’i kenë 14 miliardë pajisje të konektuara njëra me tjetrën, të cilat hynë në funksion të zhvillimit ekonomik.

Këto janë rezultatet e një studimi gjatë vitit të kaluar, që u përmenden gjatë shpalosjes së projektit për Qendrën e Inovacionit sot në Mitrovicë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, duke potencuar idenë për rritje ekonomike dhe punësim, tha se Mitrovica do të jetë e para sa i përket themelimit të Qendrës Inovative në Kosovë, ndërsa do të vazhdohet edhe me qytetet tjera gjithandej Kosovës.

“Ideja është si të kemi rritje më të madhe ekonomike dhe punësim. Është mendimi ai që e çon përpara një vend përmes ideve inovatore, të cilat pastaj barten në ndërmarrësi aktive. Kjo hallkë i ka munguar Kosovës, kjo është arsyeja pse tani ekziston Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ku ideja së bashku me qëllimin për ndërmarrësi do të suportohet nga institucioni. Mitrovica do të jetë njëra nga prijëset krahas Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës, do të vazhdojmë gjithsesi në Ferizaj për të vazhduar edhe në komunat tjera, në mënyrë që të jemi sa më afër njerëzve të cilët kanë qëllim, ide dhe mundësi për ta zhvilluar Kosovën tonë”, tha ai.

Ministri i Inovacionit Besim Beqaj, tha se mbi 9.5 milionë euro janë paraparë të ndahen nga ministria të cilën ai e udhëheq, në përkrahje të këtij projekti.

“Realisht, ekonomia sot në botë është duke u konceptuar si ekonomi digjitale, ekonomi e dijes dhe atë që sot quhet ‘digital think’. Ky ka qenë vizioni i kryetarit Veseli që ne t’i përgjigjemi nevojave të kohës së ekonomisë dhe në këtë drejtim ta themelojmë një institucion, i cili nuk është institucion burokratik, nuk është institucion që do të lëshojë leje dhe licenca, por një institucion i cili në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me komunitetin do të jetë i gatshëm ta përkrah secilën ide që vjen nga të rinjtë dhe të rejat tona që janë aseti më i vlefshëm. Për caktimin e buxhetit të ardhshëm ne kemi paraparë mbi 9.5 milion për Ministrinë që kanë me shkuar përkrahje e drejtpërdrejtë”, ka thënë Beqaj.

Back to top button