Llapashtica e Poshtme bëhet me shkollë të re

Banorët janë shprehur të lumtur me fillimin e punimeve

Në fshatin Llapashticë e Poshtme sot ka nisur ndërtimi i objektit të ri të shkollës, me ç’rast kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, së bashku me banorët e fshatit dhe stafin arsimor, kanë vendosur gurthemelin për fillimin e punimeve.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e fillimit të ndërtimit të shkollës së re, kryetari Veliu tha se ndërtimi i këtij objekti ishte shumë i nevojshëm për faktin se fëmijët e këtij fshati prej kohësh mësimet i vijonin në shkollën që nuk i plotësonte kushtet për proces normal mësimor.

“Ky lokalitet prej kohësh ka nevojë për shkollë të re. Ne kemi kërkuar vazhdimisht ndihmë nga Ministria e Arsimit, mirëpo nuk kemi hasur në mirëkuptim. Prandaj, edhe kemi planifikuar ndërtimin e shkollës ta bëjmë me mjete nga buxheti i komunës. Pra, jam i lumtur që ky objekt shkollor po ndërtohet me paratë e taksapaguesve llapjanë”, tha Veliu.

Veliu tha se shkolla do të ndërtohet sipas standardeve të larta dhe do të plotësojë kushtet për nxënësit dhe mësimdhënësit, që në një objekt bashkëkohor të zhvillojnë një proces mësimor cilësor.

Drejtori i shkollës “ Dituria “ në Llapashticë, Ahmet Kamerolli u shpreh i lumtur për fillimin e ndërtimit të shkollës së re, për të cilën tha se ishte e domosdoshme, për faktin se deri më tani procesi mësimor zhvillohej në një objekt që nuk i plotësonte kushtet.

Edhe qytetarët e fshatit Llapashticë e Poshtme, të cilët morën pjesë në ceremoninë e fillimit të ndërtimit, falënderuan komunën e Podujevës, e cila përkundër buxhetit të vogël, ka ndarë mjete nga të hyrat vetanake për ndërtimin e shkollës së re.

Back to top button