Koreja e Veriut shkrep raketë në drejtim të Japonisë

Peniani provokon sërish

Koreja e Veriut ka shkrepur sot në mëngjes një raketë balistike në drejtim të Japonisë, kanë kumtuar zyrtarët e Koresë së Jugut, duke shtuar se raketa ka rënë në Detin e Japonisë. Testi u konfirmua edhe nga Peniani, me televizionin shtetëror të Koresë së Veriut që njoftoi se vendi ka testuar me sukses raketën e parë interkontinentale.

Raketa u shkrep nga provinca e Penianit verior dhe fluturoi në drejtim të Japonisë, njoftuan autoritetet në Seul. Pentagoni gjithashtu konfirmoi testin, duke thenë se bëhet fjalë për një raketë me rreze të mesme veprimi, e cila fluturoi për rreth 40 minuta, ndërsa ushtria e Koresë së Jugut qartësoi se raketa ka kaluar një largësi prej 930 kilometra, shkruan rtv21.tv

Ushtria japoneze theksoi se raketa ra në Detin e Japonisë. Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se Koreja e Veriut ka shkrepur sërish raketë, përkundër vërejtjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe qartësoi se me testin me të ri, kërcënimi nga ana e Penianit është rritur.

Abe tha se gjatë samitit të fundjavës të grupit G20, që do të zhvillohet në Hamburg të Gjermanisë, në margjina të tij do të zhvillohet edhe një takim mes zyrtarëve të Japonisë, Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Testi u bë pikërisht sot, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kremtojnë 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë.

Shtëpia e Bardhë nuk pati ndonjë reagim zyrtar për testin, por presidenti amerikan, Donald Trump, u shpreh me anë të një porosie në profilin e tij në Twitter. “Koreja e Veriut shkrepi një raketë drejtë Japonisë. A nuk ka Kim Jong Un punë më të mençur?”, shkroi Trump.

Trump shkroi më tutje se ndoshta Kinja do të ndërmerr masa serioze ndaj Koresë së Veriut, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë kësaj çmendurie./21Media

Back to top button