Tillerson dhe Llavrov diskutuan për situatën në Siri

Sekretari amerikan i shtetit për vizitë në Moskë

 

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Llavrov, porositi sot sekretarin amerikan të shtetit, Rex Tillerson, se sulmet amerikane në Siri paraqesin një shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Llavrov me këtë rast tha se sulmet me raketa kundër bazave të ushtrisë siriane, siç ishin ato të cilat forcat amerikane i ndërmorën javën e kaluar, nuk guxojnë të përsëritën në të ardhmen.

Tillerson qëndroi sot për vizitë në Moskë, në momentin kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë tendosur tej mase, pikërisht për shkak të situatës në Siri. Llavrov gjatë takimit deklaroi se për Rusinë është me rëndësi që të dijë qëndrimin dhe qëllimet e vërteta të administratës amerikane dhe shtoi se Moska dëshiron bisedime të sinqerta për formimin e një koalicioni të gjerë për luftë kundër terrorizmit. Tillerson nga ana e tij porositi se kanalet e komunikimit të Uashingtonit me Rusinë do të mbesin gjithmonë të hapura, duke qartësuar se takimi i sotëm u zhvillua në një moment mjaft të rëndësishëm, pasi që i ofron mundësinë dy vendeve që të qartësojnë fushat, në të cilat kanë interesa të përbashkëta, transmeton rtv21.tv

Sekretari amerikan i shtetit gjithashtu tha se i gëzohet bisedimeve të hapura dhe të sinqerta, për të definuar marrëdhëniet ruso-amerikane. Në anën tjetër, presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se nuk planifikon intervenim tokësor në Siri, përkundër faktit se javën e kaluar dha urdhër për sulme ajrore kundër bazës ajrore të forcave të Sirisë. Në një intervistë për Foks Biznes, Tramp qartësoi se forcat amerikane nuk do të hyjnë në Siri, por shtoi se në momentin kur ai sheh vrasje të fëmijëve dhe përdorim të armëve kimike, ai menjëherë i telefonon sekretarit të mbrojtjes, James Mattisit.

Tramp tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po mbështetë një njeri të ligë në Siri, ndërsa presidentin e Sirisë, Bashar Al Asadin e cilësoi si kafshë. I menjëhershëm ishte reagimi i Putinit, i cili në një intervistë për mediat ruse tha se besimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në krye me Trampin ka rënë dukshëm, në veçanti në nivelin ushtarak. Putin përsëriti se me sulmet në Siri, Uashingtoni ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke theksuar se forcat amerikane ndërmorën sulmet në Siri, pa ofruar dëshmi se Qeveria në Damask ka përdorur armë kimike. Përkundër tendosjeve të shumta, për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Uashingtonit u shpreh edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes,  Mattis, i cili tha se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk do të dalin jashtë kontrollit. Matis më tutje shtoi se sulmi i javës së kaluar në Siri ka për qëllim që të detyroi qeverinë në Damask që mos të përdorë armët kimike në të ardhmen./21Media

 

Back to top button