18 muaj pushim për gratë shtatzëna!

Carovska: Askush s’do t’i punësojë gratë

Nisma qytetare për zgjatjen e pushimit të lindjes në Maqedoni më në fund ka marrë dritë jeshile nga komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie me publikun. Iniciativa u pranua me vendim unanim pasi paraprakisht ishte refuzuar nga komisioni i shkallës së dytë, për shkak të një gabimi në titullin e ligjit të vendosur në peticion. Përfaqësuesja e iniciativës, Snezhana Kuzmanovska shpreson se pasi që është nevojitur për së dyti ti mbledhë nënshkrimet, kësaj here të pranohet iniciativa.

“Shpresoj që kësaj here do ta vlerësoni si të rregullt iniciativën dhe do të mund të vazhdojë më tej në debat të hapur”, tha Snezhana Kuzmanovska, shkruan TV21.TV

Të gjithë anëtarët e pranishëm në mbledhje shprehën mbështetje për këtë iniciativë,ndërsa kryetari i komisionit, Aleksandër Kiracoski tha se komisioni unanimisht vendosi që të pranohet kjo iniciativë qytetare, ndërsa mendimi i këtij komisioni do të dorëzohet në zyrën e kryetarit të kuvendit.

“Iniciativa qytetare me propozim ndryshimin e ligjit për marrëdhënie pune, së bashku me propozim-ligjin për ndyshimin e ligjit për marrëdhënie pune të nënshkruar nga 242 qytetarëve e dorëzuar përmes Snezhana Kuzmanovskës, është në rregull. Кonstatoj që ky mendim është e votuar në mënyrë unanime”, tha ai.

E përderisa të gjithë deputetët shprehnin mbështetje për këtë iniciativë, ministrja për punë dhe politikë sociale, Mila Carovska thotë se me këtë do të vështirësohej punësimi i grave, që edhe ashtu është në nivel mjaftë të ulët.

“Nuk është me rëndësi a do të ketë ngarkesë në buxhet, për këtë gjë debatuam edhe në Kuvend, kishte edhe debat të hapur. Ka të bëjë me aspektet tjera, me zhvillimin ekonomik të shtetit. Për momentin një numër i madh i femrave janë jashtë tregut të punës, jo vetëm që nuk janë në treg të punës, ata janë kërkues joaktiv të punës. Me këtë vetëm se do të nxisnim diskriminim nga ana e punëdhënësve ndaj grave të reja. Me këtë do të ulej numri i të punësuarve femra. Kjo ishte edhe qëndrimi i punëdhënësve, që një nënë të re nuk do të jetë në punë 18 muaj, kur të kthehet do të marrë një pushim të dytë prej 18 muajve. Mendoj se do të bëhet. Kjo do ta rriste dallimin e punësimit të burrave dhe grave”, tha ajo.

Përmes iniciativës së nënshkruar nga 242 qytetarë, kërkohet zgjatja e pushimit të lindjes nga 9 në 18 muaj pushim me pagesë. Para se të kalojë në kuvend, kjo iniciativë duhet të kalojë edhe komisionin ligjdhënës juridik./21Media

Back to top button