Nga mungesa e inspektorëve, ilegalët përfitojnë dyfishin

Nga mungesa e inspektorëve, ilegalët përfitojnë dyfishin

Në prag të sezonit verorë, të gjithë subjektet që zhvillojnë aktivitete turistike  i gëzohen të dhënave të Entit shtetërorë për statistika se turizmi në Maqedoni ka shënuar rritje me 17% krahasuar me kohën e njëjtë të vitit të kaluar. Përveç vizitave të monumenteve historike dhe bukurive natyre të vendit tonë, turistët vlerësojnë edhe shërbimet hotelierike. Ata sigurohen që të pushojnë në vende të licencuara, për mos tu bërë pre e keqpërdorimeve.

“Mendoj se shërbimi është i përkryer, stafi është shumë i sjellshëm me ne. Krahasuar me vendet e Evropës këtu është shumë më lirë”, tha Levente Varga, turist.

“Shërbimet janë korrekte, ushqime janë të mira dhe çmimet janë kryesisht të lira”, u shpreh Viktoria Svenson, turiste.

Hotele, motele, vila, apartamente apo bujtina janë në dispozicion të turistëve vendorë dhe të huaj.

Por, jo të gjithë turistët marrin shërbimet, për të cilat paguajnë, thonë nga Shoqatës për turizëm dhe hotelieri, duke u dhënë hapësirë manipulimi ofertuesve në të zezë. Sipas tyre, vetëm 450 objekte janë të regjistruara që kryejnë shërbime hotelierike në të gjithë Maqedoninë. Zëvendësdrejtori, Goran Damçevski, thotë se konkurrenca është jolojale nga shërbimet ilegale që ofrohen prej apartamenteve dhe vilave private. Ai thotë se për rezervime on-line në faqet e internetit figurojnë mbi 1,500 objekte hotelierike që disponojnë shërbime për turizëm, prej të cilave 600 figurojnë vetëm në Shkup, shkruan Tv21.tv

“Situata momentale në terren është se një numër i konsiderueshëm i hoteleve janë vetë kategorizuar dhe janë standardizuar. Mund të jem vulgar por, të gjitha të tjerat janë në të zezë. Nuk kemi kategorizim të mirëfilltë e as nuk kemi evidencë. U dha afati për rikategorizim, sipas ndryshimeve të rregullores, kaloi afati dhe nuk u evidentuan të gjitha objektet objektet. Ato që u standardizuan e futën në sistem, të tjerat mbetën me të vjetrën”, u shpreh Goran Damçevski, shoqata për turizëm dhe hotelieri.

Nga Sektori për turizëm dhe hotelieri në kuadër të Ministrisë së ekonomisë thonë se inspektorë ka pak. Në Shkup ka vetëm dy inspektorë, po aq ka në Ohër dhe një në Strugë, riviera e së cilës ka kapacitet prej 8 mijë shtretërve përreth gjithë Liqenit të Ohrit. Udhëheqësi i sektorit, Bekim Haxhiu thotë se përveç subjekteve juridike, të drejtë ligjore për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit kanë edhe personat fizik. Por, ai thotë se jo të gjithë paraqesin të hyrat e shërbimeve hotelierike dhe punojnë ilegalisht.

“Ne mendojmë se problemi qëndron tek inspektorati, i cili duhet paralelisht të kryej mbikëqyrjen e këtyre objekteve. Duke pasur parasysh se për personat fizik kompetencat janë në suaza të inspektoratit komunal, kemi informacion se numri i inspektorëve, të cilët punojnë në këtë lëmi është shumë i vogël”, tha Bekim Haxhiu, Sektori për turizëm në Ministrinë e ekonomisë.

Statistikat thonë se në vitin 2017 vendin e kanë vizituat 900 mijë turistë, prej të cilëve buxheti i shtetit ka fituar 135 milion dollarë amerikan. Mirëpo, nga Oda ekonomike thonë se këto përfitime mund të ishin dyfish më të larta për shtetin, nëse do të paguanin taksën e turizmit dhe të shërbimeve hotelierike edhe ofruesit ilegal të apartamenteve dhe bujtinave. Ata janë në pritje të ndryshimeve ligjore në mënyrë që turistët të marrin shërbimin për të cilin paguajnë dhe pagesat të faturohen, në mënyrë që paratë e mbledhura në buxhet të kontribuojnë në zhvillimin e turizmit./21Media