4 ministri bashkëluftojnë dhunën ndaj fëmijëve

4 ministri bashkëluftojnë dhunën ndaj fëmijëve

Nga 903 vepra penale për dhunë familjare, janë evidentuar 976 viktima prej të cilëve mbi 90 janë fëmijë, ndërsa pjesa më e madhe janë femra. Këto të dhëna i shpalosi sot ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski në prezantimin e studimit për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve.

“Megjithatë edhe pse represioni normativ në raport me dokumentimin, sanksionimi i veprave të tilla, është faktor i rëndësishëm për menaxhimin me dhunën ndaj fëmijëve”, tha Spasovski.

Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska tha se çdo dhunë, qoftë edhe e vogël, lë shenjë për tërë jetën.

“Pikërisht për këtë shkak në ministri implementojmë një procedurë të deinstitucionalizimit. Do të themi si është kjo e ndërlidhur me dhunën. Të gjithë fëmijët që janë të vendosur në institucione neglizhohen, ndërsa neglizhenca është dhuna që më së paku e flasim dhe prandaj kemi vendosur që t’i transformojmë institucionet dhe deri në vitin 2020-21 nuk do të kemi  asnjë fëmijë në institucion”, u shpreh Carovska.

Sipas ministres për Arsim dhe Shkencë, Renata Deskoska, përqindja e dhunës në vend është shumë e lartë. Ajo vlerëson se sistemi arsimor, përkatësisht shkollat paraqesin rol të rëndësishëm në identifikimin dhe paraqitjen e rasteve të dhunës, keqpërdorimit  dhe mospërfilljes së fëmijëve, shkruan tv21.tv

“Propozojmë përgatitjen e programeve për mbrojtje nga dhuna, keqpërdorimi dhe mospërfillja, programe për parandalimin e diskriminimit dhe çdo lloj tjetër të sjelljeve devijante”, tha Deskoska.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se arritjet në sferën e parandalimit të dhunës nuk janë të mjaftueshme.

“Duhet të reagojmë në identifikimin e dhunës, për shkak se kjo do të thotë edhe parandalim i mëtutjeshëm. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të përforcojë kapacitetet e veta, të krijojë politika për përgjigje ndaj dhunës dhe do të vazhdojë me trajnimet e nëpunësve shëndetësorë që sa më lehtë të bëjnë identifikimin dhe mbrojtjen e  fëmijëve viktima të dhunës”, u shpreh ai.

Sipas 4 ministrave të pranishëm në prezantimin e studimit të sotëm për dhunën ndaj fëmijëve, prezenca e tyre tregon se ekziston vullnet politik për përmirësimin e gjendjes aktuale, si dhe parandalimin e dhunës në të ardhmen. Ata vlerësojnë se secila nga ministritë që drejtojnë ka rëndësinë e vet në këtë sferë. Megjithatë, katër ministrat nuk prezantuan ndonjë strategji të përbashkët që do të garantonte minimizimin e dhunës. Ndryshe, studimi për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve është financuar nga Bashkimi Evropian.