Maqedonia e Veriut drejt BE-së

Maqedonia e Veriut drejt BE-së

Informacionet e fundit nga përfaqësuesit francezë që vijnë nga takimet në Bruksel janë se Franca ende nuk ka vendim përfundimtar për dhënien e datës për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në në Samitin që do të mbahet më 15 tetor. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, shpreson se qëndrimi i Presidentit francez Emanuel Makron, do të zbutet, sidomos pas rekomandimit të pakushtëzuar nga Bundestagu gjerman.

Jemi kah fundi i realizimit të synimit tonë. Praktikisht na ndan vetëm edhe një hap. Kemi pritur shumë gjatë, 14 vjet, thotë shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili shpreson se 16 tetorin do ta presim me lajme të gëzueshme.

Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët japin mbështetje të madhe për idenë evropiane, kanë pritje të mëdha nga takimi i Këshillit Evropian në tetor. Edhe paraardhësi i Dimitrovit, tani deputet Nikolla Poposki, në emisionin “10 Minuta” të TV21, tha se pajtohet me faktin se do të bëhemi anëtare dhe se do të marrim datë për fillim të negociatave. Procesin ishte dashur ta fillojmë qysh para 15 vjetëve, u shpreh Poposki.

Pritet që në seancën e ardhshme të Këshillit për Punë të Përgjithshme që do të mbahet më 15 tetor, ministrat e vendeve-anëtare të vendosin nëse do t’i startojmë negociatat, kurse vendimin përfundimtar do të duhet ta sjellin liderët e këtyre vendeve, unanimisht në seancën e Këshillit të Bashkimit Evropian më 17 dhe 18 tetor./21Media