SASHK nuk heq dorë nga greva e paralajmëruar

SASHK nuk heq dorë nga greva e paralajmëruar

A do të ulen të hënën nxënësit në bankat shkollore? Nuk dihet nëse ky vit i ri shkollor do të nisë në kohë në Maqedoninë e Veriut. Vetëm 5 ditë para 1 shtatorit ende nuk është arritur marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit.  Sindikata e arsimit dhe Shkencës për TV21 tha se i qëndron pas fjalës së thënë, që nëse pagat e mësimdhënësve nuk rriten për 25% do të bojkotojnë mësimin.

Nëse deri më 1 shtator Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk jep rezultate, të hënën do të ketë protestë. Rritja e pagës për 5% është e pamjaftueshme për të punësuarit në arsim. Kemi dërguar letër me kërkesa të qarta në ministri. Nëse viti shkollor nuk fillon në kohë, faji do të ngelet te ministri. Vendimi do të ndryshojë nëse deri në fund të javës arrihet marrëveshje me rezultate konkrete”, thonë nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Ministria e arsimit ka ultimatum deri më 1 shtator që të përmbush kërkesën e sindikatës. Por ministri Arbër Ademi sot bëri të qartë se rritja prej 25% nuk mund të arrihet deri në fund të kësaj jave. Ademi thotë se do të ofrojnë zgjidhje kur t’i kenë të qarta parametrat që dalin nga buxheti.

“Nuk ka nevojë, me të vërtetë nuk ka nevojë që të organizohet grevë. 10.8 % deri tani i kemi rritur pagat, në shkolla fillore dhe të mesme dhe këtë vit pas shumë vitesh, këtë vit po rriten pagat në arsimin e lartë, dmth për herë të parë pas shumë vitesh. Kjo flet për seriozitetin e qeverisë. Prapë po them se do të ulemi, do të meremi vesh dhe të gjithë së bashku do t’i shohim të gjitha parametrat dhe do të vendosim për rritjen e ardhshme të pagave”, deklaroi Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Këtë javë pritet të ketë edhe një takim midis palëve. Ministri i Arsimit shpreson që të arrihet marrëveshje dhe nxënësit të fillojnë me kohë mësimet. Hera e fundit që Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, hyri në grevë ishte në vitin 2008. Ata në vazhdimësi kanë kërkuar përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit. Me paga nën mesataren shtetërore, mësimdhënësit mezi po e kalojnë muajin dhe kanë ardhur deri në skaj të ekzistencës, ankohen nga Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës. Thonë se pikërisht kjo është arsyeja pse nxënësit nuk regjistrohet në studime arsimore, prandaj, siç pohojnë, nëpër shkollat ka mungesë serioze kuadrosh./21Media