A do të kandidojë Thaçi për president, flet ai

“Jeta ime nuk është vetëm politika…”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit i ka mbetur mandat edhe një vit, sot në konferencën për media të fundvitit la të nënkuptohet se ai nuk do të kandidojë sërish për president. Në kohën kur dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit nuk po arrijnë kompromis për postin e presidentit, me qëllim të krijimit të koalicionit qeverisës, Thaçi u shpreh se kushdo që do të zgjedhet i uron suksese.

“Kemi kohë për të menduar, do të ishte me interes që partia fituese me partnerë që mund ta bëjë në koalicion ta bëjë këtë, kushdo që zgjedhet vetëm mund t’i uroj suksese. Jeta ime nuk është vetëm politika, kam punuar, realizuar, s’më mbetet ndonjë nostalgji për asnjë zyre institucionale, me gjithë respektin për të gjitha përgjegjësitë që kam pasur, do t’i kontribuojë vendit”, potencoi Thaçi.

Kryetari i atëhershëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike më 26 shkurt të vitit 2016. Ai kishte fituar me 71 vota në raundin e tretë pasi në dy raundet e para nuk kishte arritur të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjedhja e tij ishte kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, të cilat dy herë radhazi kishin ndërprerë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.

Detyrën e presidentit e ka marrë më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës. Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014). Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për president të Kosovës./21Media

Back to top button