Deklarata e Makronit konsiderohet si një “jo” e Francës për Maqedoninë dhe Shqipërinë

Deklarata e Makronit konsiderohet si një “jo” e Francës për Maqedoninë dhe Shqipërinë

Në këtë tryezë të rrumbullakët të Këshillit Evropian, liderët e vendeve anëtare do të vendosin nëse Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do t’i jepet datë për çelje të negociatave.

Qëndrimet e tyre janë të ndryshme. Franca përflitet të jetë kundërshtuesja e çeljes së negociatave me Shkupin dhe Tiranën. Këtë mëngjes kancelarja gjermane Angela Merkel e pranoi se shanset për nisje bisedimesh nuk janë të mëdha, megjithatë shtoi se do të përpiqe që në samitin e sotëm t’i bindë ata që janë kundër.

“Duhet të ju them se shanset për arritjen e një koncensusi nuk janë të mira. Mendoj se ja vlen që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’u jepet perspektivë evropiane”, u shpreh Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.

Arritjet e këtyre dy vendeve i njeh edhe presidenti francez Makron, i cili thotë se dëshiron të dërgojë sinjal pozitiv, por gjithsesi mendon se është herët për nisje negociatash. Mbrëmë nga Tuluzi ai i zbehu edhe më shumë shpresat e dy vendeve kandidate.

“Dua të them, se ashtu si kancelarja, mendoj se ky rajon është me një rëndësi strategjike për Europën. Mendoj se kemi ende gjëra të tjera për të finalizuar, më pas të hapim negociatat. Mendoj që duhet ta reformojmë këtë procedurë që është aktualisht e pakthyeshme kemi dhe gjëra të çuditshme në këtë proces”, tha presidenti i Francës Emanuel Makron.

Kjo deklaratë e Makronit tashmë konsiderohet si një “jo” e Francës për Maqedoninë dhe Shqipërinë, por burime diplomatike në Berlin thonë se ky nuk është fundi i historisë. Duke i cituar këto burime agjencia gjermane e lajmeve DPA shkruan se në samitin e sotëm të liderëve do të bëhet edhe një përpjekje për ta ndërruar mendjen Makronit.

Nëse Franca është kundër nisjes së negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë, kundër kësaj të fundit janë edhe disa shtete të tjera anëtare.

Në Bruksel po qëndrojnë edhe dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Edi Rama në pritje të vendimit final.

Që një shteti t’i jepet datë, duhet që “pro” të votojnë 28 vende anëtare. Mjafton një të jetë kundër që datë të mos ketë.

Çështje tjera që pritet të diskutohet në samit janë Brexit-i, ndërhyrja turke në Siri si dhe çështje të mjedisit./21Media