Emisioni që la para ekranit shikuesit sa herë që u transmetua

Emisioni që la para ekranit shikuesit sa herë që u transmetua

Emisioni për “Shtëpitë e bukura të Kosovës” është një prej emisioneve më të dashura nga shikuesit, përmes së cilit u prezantuan mbi 100 shtëpi anë e mbanë Kosovës dhe jo vetëm.

Përmes RTV21, shikuesit kanë ndjekur që nga vitit 2014 mbi 100 shtëpi të mrekullueshme, duke përfshirë enterierin, eksterierin dhe gjithçka tjetër rreth planeve dhe dekorimeve të veçanta, me shumë stile.

Edhe pse ka dy vjet që janë ndalur xhirimet e këtij emisioni, arkiva e reportazheve të emisioneve vazhdon të shikohet shumë. Andaj, shtrohet pyetja se a pritet të vijë një edicion i ri i “Shtëpive të bukura”, i cili i ka mbetur në mendje shumë shikuesve?

Gazetari dhe moderatori i këtij emisioni, Abaz Krasniqi tregoi se edicioni i ri i emisioni për “Shtëpitë e bukura të Kosovës” do të vijë. Dhe kjo për shkak të kërkesave të shumta të shikuesve të emisionit, pastaj edhe të pronarëve të shtëpive të bukura, shkruan rtv21.tv

Krasniqi u shpreh se është i lumtur, që ky emision është bërë i dashur për publikun shqiptar dhe se siç u shpreh ai, kërkesat e tyre duhet t’i plotësojnë.  “Nuk po jap datë se kur do të rifillojmë me emisionin, por një sezon i ri i shtëpive të bukura do të vijë së shpejti”, u shpreh gazetari dhe moderatori i emisionit.

Emisioni për “Shtëpitë e Bukura të Kosovës”, nuk bëri jehonë vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Kujtojmë që një reportazh i këtij emisioni për një shtëpi në Gjakovë, që ishte ndërtuar me arkitekturë helene, bëri bujë edhe në mediat e rajonit./21Media