Më të rejat nga këngëtarja Elida Kryeziu

Më të rejat nga këngëtarja Elida Kryeziu

Elida Kryeziu e cila më parë njihej si një ndër këngëtaret më aktive në skenën muzikore dhe gjithmonë pranë publikut, tani ka kohë që nuk ka sjellë ndonjë këngë të re në fushën në të cilën e njohim, megjithatë, ajo është përkushtuar maksimalisht në muzikën klasike në Filharmoninë e Kosovës.

A do të rikthehet Elida?
Këngëtarja në një intervistë për portalin rtv21.tv lidhur me mundësinë e rikthimit mendon se nuk do të rikthehet në skenë, por tha se asnjëherë nuk do ta braktisë muzikën.
“Nuk mendoj të rikthehem, por jo edhe të mos merrem me muzikë përveç asaj klasike të cilën e kam ushqim shpirtëror”, tha Elida Kryeziu.
Megjithëkëtë, zëri i ëmbël ka treguar se është në përgatitje të disa këngëve. Elida për rtv21.tv tha se është e sigurt se këto projekte do të jenë për publikun dhe dëgjuesit më seriozë të cilët sipas këngëtares këto këngë do t’i dëgjojnë me endje.

“Këngëtarë që kanë dëshirë, por jo edhe talent”
Elida Kryeziu si një profesioniste në fushën e saj ka folur edhe për këngëtarët e rinj që po i shtohen skenës muzikore, që sipas saj shumë prej tyre janë këngëtarë që kanë dëshirë, por jo edhe talent.
“Për fat të mirë po i shtohen skenës këngëtarë të rinj, por mendoj se numri më i madh i tyre janë këngëtarë që vetëm kanë dëshirë të këndojnë, por jo edhe se janë të talentuar aq, pasi teknika tani ju ka mundësu këtë”, u shpreh ajo.
Gjithashtu Elida Kryeziu tregoi se është kundër teksteve banale të pa kuptimta edhe siç i quan ajo të turpshme që kërkojnë kujdes të madh nga prindërit që fëmijët të mos i dëgjojnë.

Jeta private, larg muzikës
Përveç karrierës ajo ka folur edhe për jetën e saj private si një bashkëshorte dhe nënë e dashur dhe e përkushtuar.
Elida për portalin rtv21.tv tha se çdo moment tjetër të ditës ia kushton familjes duke u kujdesur për dy fëmijët e saj Dionin dhe Andin.
“Familja ime është një oazë pushimi dhe argëtimi për mua në vazhdimësi. Merrem me fëmijet Dionin dhe Andin pasi që bashkëshorti Ardi është më i angazhuar me profesionin e tij si mjek specialist anastezist , puna e tij është me përgjegjësi të madhe neve që të tre mundohemi që Babit t’i ofrojmë më tepër kohë për pushim”, tregoi Elida.
Ajo ka treguar edhe pjesën më të këndshme të ditës në familjen e saj.
“Çdo ditë e përcjelli punën përgatitjen e detyrave të shtëpisë, përcjelljen e tyrne në shkollë në kurse gjuhe, kurse sporti si dhe orët e muzikës dhe instrumenteve në shtëpi. Kjo pjesë e ditës është pjesa më e këndshme dhe koha jonë e përbashkët për relaks dhe kënaqësi”, shprehet Elida.

Momentet më të rëndësishme në jetë
Këngëtarja e mirënjohur, gjatë intervistës e ka zbuluar edhe disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj.
“Momenteti më i rëndësishëm i jetës mendoj se është gjithmonë i njëjtë për të gjitha nënat momenti kur ato bëhen nënë. Por momente të rëndësishme të ëmbla përjetoj në vazhdimësi kur marr lavdatat nga mësimdhënësit e fëmijëve për sukseset rezultate e mira të tyre. Me këto unë përmbush dhe vetveten dhe nuk e ndjejë mungesën e karrierës time”, u shpreh ajo.

Elida zbuloi se së shpejti do ta shohim në ekranet televizive pasi që është pjesë në disa emisioneve festive për festat e fundvitit./21Media