A kanë shkollat në Drenas plan program për përdorimin e rrjeteve sociale?

Javë më parë ua rrestua një person për shkak të një postimi në rrjete sociale

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” mbrëmë transmetoi reportazhin hulumtues i cili tregoi se institucionet e Kosovës po dështojnë në deradikalizimin e të rikthyerëve, të dënuarëve për ekstremizëm e terrorizëm.

22 vjeçari nga Drenasi, Bledart Elshani disa javë më parë ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak të një postimi në rrjete sociale, në të cilën shfaqej një kërcënim ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj.

Elshani po hetohet nga ana e prokurorisë për terrorizëm.

Avokati i Bledart Elshanit, Isak Hoxha tha për “Drejtësia në Kosovë” se klienti i tij nuk ka shkollë të lartë të kryer dhe se nuk ka qenë në dijeni për pasojat pas postimit të fotografisë kërcënuese.

“Drejtësia në Kosovë” transmetoi intervistat me mësimdhënës në shkollën e Bajincës së Komunës së Drenasit të cilët pranuan se nuk kanë plan-programe të caktuara të cilat parashohin edukimin e nxënësve për përdorimin e rrjeteve sociale si dhe ekstremizmin e terrorizmin.

Besim Nebihu i cili kishte qenë edhe mësimdhënës i fizikës së Bledart Elshanit, tregon se edukimi i nxënësve për përdorimin e rrjeteve sociale është problem.

“Është problem për shkak sepse në moshën që janë, nuk munen me e ditë se çka do që postojnë mund të jetë i rrezikshëm për ta. Ky është problem që nuk kanë vetëdijesim”, tha Nebihu.

Ai thotë se nuk kanë ndonjë temë të veçantë që t’i mësojnë nxënësit për temat e rrjeteve sociale, ekstremizmit dhe terrorizmit.

Drejtori i shkollës, Isni Leku thotë se kanë nevojë që të kenë trajnime sa i përket vetëdijesimit të rrjeteve sociale.

“Kjo na mungon neve, është vërtet që kanë nevojë nxënësit për trajnime, pasi që në bazë të tyre mund të vetëdijesohen. Ministria e Arsimit të jetë më e përgjegjshme sa i përket këtyre gjërave”, tha Leku./kallxo.com

Back to top button