Kuvendi i Kosovës miratoi në parim projektligjin për referendumin

Kuvendi i Kosovës miratoi në parim projektligjin për referendumin

“Që të jem i qartë: Unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve (…) Në një situatë të tillë, vërtetë që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, pati deklaruar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në muajin gusht të këtij viti rreth idesë së tij për korrigjimin e kufijve.

Ndërsa këtë javë ( saktësisht të mërkurën) u ndërmorën hapa për të iu mundësuar popullit të Kosovës  shprehjen e mendimit  për një çështje shtetërore e shoqërore me rëndësi të veçantë, duke bërë votimin e përgjithshëm, pra referendumin. Kuvendi i Kosovës miratoi në parim projektligjin për referendum, i cili arriti të miratohej në votimin e tretë.

Propozues i projektligjit ishte Grupi Parlamentar i Partisë Social-Demokrate. Projektligji parasheh tri lloje të referendumit: referendumin shfuqizues, i cili mundëson shfuqizimin e një ligji ose një pjese të tij; referendumin konsultativ, i cili iniciohet nga presidenti ose kuvendi dhe përmes tij kërkohet mendimi i qytetarëve për ndonjë çështje të caktuar, si dhe referendumin kushtetues, përmes të cilit kuvendi mund të organizojë referendum për ndryshime kushtetuese, duke përfshirë edhe dy të tretat e minoriteteve dhe vendeve të rezervuara.

Por,  a ndikon kjo në hapjen rrugë të presidentit Thaçi për të inicuar referendum lidhur me korrigjimin e kufijve siç pati propozuar vet ai?

Lidhur me këtë deputeti i PSD-së,  Faton Topalli për rtv21.tv ka deklaruar se versioni i këtij projektligji nuk i shërben idesë së Presidentit.

“Projektligji për Referendum duhet te kaloj procedurat e nevojshme. Pa u miratuar si ligj, nuk mund të përdoret si instrument për realizimin e politikave te caktuara. Presidenti i Kosovës ka dhënë një ide. Ideja e tij nuk është shtruar asnjëherë zyrtarisht para Kuvendit. Derisa nuk ka kërkesa zyrtare e konsideroj te pa qene. Me Ligjin për Referendum presidenti i vendit ka te drejte të kërkoj të organizojë një referendum konsultativ. Përmes një referendumi të tillë ai do të mund t’i pyeste qytetarët se kush është pro dhe kush kundër një çështje të caktuar. Referendumet konsultative nuk e obligon Kuvendin për t’i implementuar ato. Projektligji aktual nuk lejon që çështjet e integritetit territorial te shtrohen përmes referendumit. Në këtë kuptim ky version i projektligjit nuk i shërben idesë së Presidentit.”, ka thënë Topalli.

Të drejtën e Presidentit për të hapur apo mos hapur referendum rreth kësaj çështje, e ka sqaruar edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ai për rtv21.tv ka deklaruar se as Presidenti dhe as Qeveria nuk kanë të drejtë të thërrasin referendum për qytetarët nëse në pyetje është territori i vendit, pasi që kjo sipas tij është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar se Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet dhe se Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. Neni 18 paragrafi 1 i Kushtetutës kompetencat lidhur me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që ndërlidhen me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake i ka atribuuar Kuvendit të Kosovës, në këtë drejtim edhe përkundër asaj që Kuvendi i Kosovës mund të miratoj ligjin për referendumin, Presidenti i Republikës por as edhe Qeveria nuk kanë të drejtën të thërrasin që përmes referendumit qytetarët të vendosin qoftë lidhur me territorin e Republikës së Kosovës, e më së paku për çështje të territorit të një shteti tjetër. Në rastin e republikave parlamentare, përfshirë modelin që ka përqafuar republika e Kosovës, sovraniteti territorial i takon vetëm sovranit dhe i njëjti ushtrohet përmes përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës.”, ka thënë Miftaraj.

Ndryshe ideja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ka ngjallur shumë reagime. Kundër kësaj po shprehet edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërkohë që opozita në Kuvend pat inicuar miratimin e një rezolute e cila do të ia ndalonte presidentit Thaçi që të flasë për kufijtë në dialogun me Serbinë, mirëpo rezoluta nuk kaloi në Kuvend pasi që mori vetëm 50 vota nga gjithsej 91 deputetë sa ishin në sallë. / 21Media