A shkakton vaksina autizëm?

Todorov: Vaksinat janë të sigurta

Të gjitha vaksinat që importohen në Maqedoni, detyrimisht të jenë në kalendar dhe të miratohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, deklaroi ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov në shënimin e sotëm të ditës botërore të imunizimit. Ai thotë se numri i foshnjave të vaksinuara kundër fruthit është në rënie.

“Bëhet fjalë për sëmundje serioze që përhapet shpejtë dhe një rast i vetëm mundet që për një kohë të shkurtër të shkaktojë edhe raste të tjera, veçanërisht gjatë verës, kur, thënë kushtimisht, kjo sëmundje mund të importohet si pasojë e vizitave dhe udhëtimeve më të shpeshta të njerëzve”, tha Nikolla Todorov, Ministër i Shëndetsisë.

Fëmija i Zoran Mijallkov është me autizëm. Ai pohon se pas vaksinimit, fëmija i tij filloi të kishte probleme dhe shton se nuk mund të bëjë asgjë për shkak se – siç shprehet – kompanitë farmaceutike janë tejet të fuqishme.

Te fëmijët tanë ndodhi që problemet të paraqiten pas vaksinimit. Për gjithçka nevojiten fakte, ndërsa ne nuk jemi shkencëtarë. Ekzistojnë dy teori në lidhje me autizmin: e para se ajo është gjenetike, ndërsa tjetra, se ajo është pasojë e vaksinimit. Por, edhe po të jetë gjenetike, megjithatë, vaksinimi është faktor nxitës, u shpreh Zoran Mijallkov.

Para një viti, prindërit që kundërshtojnë vaksinën DTP parashtruan padi penale kundër Ministrisë së Shëndetësisë , duke e akuzuar atë se për vite me radhë, foshnjave u ka dhënë vaksinë të paregjistruar të prodhuar nga një institut bullgar dhe e cila nuk është regjistruar as në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Sipas tyre, ministria e shëndetësisë në Maqedoni, e ka blerë këtë lloj vaksine vetëm sepse ajo ka kushtuar më lirë.

Kurrë nuk ka ndodhur që Maqedonia të importojë ose të vendosë në qarkullim vaksinë që nuk është në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që nuk i kanë kaluar të gjitha kontrollet rigoroze dhe që nuk është miratuar për përdorim. Kryesisht bëhet fjalë për vaksina nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, shtoi Todorov.

Në Bashkimin Evropian, prej gjithsej 27 vendeve, vaksina DTP është obligative në 15 vende, ndërsa në vendet tjera, obligative janë vetëm një pjesë e vaksinave, ndërsa të tjerat janë të rekomandueshme./21Media

Back to top button