Ministria Drejtësisë: S’kemi sinjale për ndryshim qëndrimesh

Ministria Drejtësisë: S’kemi sinjale për ndryshim qëndrimesh

Ka dy muaj që janë shuar përpjekjet për sjelljen e ligjit për Prokurorinë Publike.

Nuk ka më takime të grupeve të punës Qeveri-DPMNE. As takime liderësh Zaev-Mickoski.

Tentativa e fundit për gjetjen e një gjuhe të përbashkët është bërë në shtator, kur kryeministri pati deklaruar se palët do të të vazhdonin me propozime në formë të shkruar.

Sjelljen e ligjit për Prokurorinë Publike vazhdimisht e përmend edhe ambasadori francez në Shkup Kristian Timonie, nga shteti i të cilit Maqedonia e Veriut mori karton të kuq në Këshillin Evropian me ç’rast vendi humbi edhe një shans për marrje të datës për negociata.

Autoritetet tona e dinë nevojën e sjelljes së këtij ligji. Javë më parë Ministri për Punë të Jashtme Nikolla Dimitrov tha se duhen përpjekje që të largohet edhe arsyetimi i fundit për mosdhënien e datës për bisedime, e ky është ligji për Prokurorinë Publike tha kryediplomati i vendit.

Por pse u harrua ligji për Prokurorinë? Nga kabineti i ministres së Drejtësisë thonë se takime nuk ka për shkak se palët s’kanë ndryshuar qëndrime.

“Sjellja e Ligjit për Prokurorinë Publike është paraparë me strategjinë për reforma në gjyqësor dhe për këtë arsye ligji duhet të miratohet. Nuk ka sinjale për ndryshim të qëndrimeve dhe për këtë arsye nuk ka takime të reja”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Deputeti opozitar i VMRO-DPMNE Antonio Milloshovski për TV21 tha se me keqardhje konstaton se ministrja e Drejtësisë Deskoska nuk u tregua menaxhere e mirë e këtij procesi duke mos arritur të gjejë konsensus të gjerë për ligjin. Ai kujton edhe kundërshtimin e koalicionit qeverisës që propozim-ligji i opozitës i përgatitur në muajin mars të dërgohej në Komisionin e Venecias.

“Ministrja Deskoska e refuzoi këtë propozim duke thënë se mendimi do të arrinte në shtator, e kjo do të ishte shumë vonë. Tani e shohim se kaloi edhe shtatori, edhe tetori, do të kalojë edhe nëntori, ndërsa gjendja është status-quo. Deri më tani nuk kemi marrë ftesë për bisedime shtesë nga Ministria e Drejtësisë, e nëse marrim, do të marrim pjesë”, thotë Antonia Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Bisedimet mes pushtetit dhe opozitares VMRO-DPMNE për ligjin për prokurorinë kanë pothuajse një vit që zgjasin pa asnjëfarë përafrimi qëndrimesh. Në fillim të vitit pushteti dhe opozita dolën me propozimet e tyre për zgjidhje ligjore, por prapë s’u morën vesh. Më pas pushteti përgatiti një tekst të ri, por prapë i njëjti hasi në kundërshtime nga opozitarët. Nenet më problematike mbeten ato që rregullojnë të ardhmen e Prokurorisë Speciale, ndonëse kjo e fundit tashmë është një institucion i vdekur, lëndët e së cilës i ka marrë Prokuroria e Krimeve të rënda ndërsa prokurorët janë shpërndarë nëpër prokuroritë amë, e megjithatë kërkohet një zgjidhje ligjore për të./TV 21