A vërehet fundi i krizës në Maqedoni?

Sipas të ftuarve sa më parë duhet t’i jepet fund krizës politike

Kriza në Maqedoni nuk është politike por penale dhe kriminalo-juridike. Kështu deklaroi në emisionin debatues Click Plus deputeti i koalicionit “Për jetë në Maqedoni” Pavle Bogoevski. Ai konsideron se duhet t’i jepet fund kohës kur, siç tha, kriminelët, terroristët dhe fashistët trajtohen si politikanë apo si aktivistë qytetarë.

“Qëndrimi ynë i fuqishëm është se koha e ndarjeve etnike dhe – çka është më e rëndësishme -përdorimi i marrëdhënieve të ndjeshme etnike për nxitje të urrejtjes dhe dhunës për qëllime politike dhe kriminale ka përfunduar dhe nuk duhet të përsëritet”, tha Pavle Bogoevski.

Është për keqardhje që dyert e kuvendit i hapën kolegët tanë deputetë dhe protestuesve u jepnin udhëzime se nga të drejtohen, u shpreh deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili.

“Cak i turmës së parë ishin Zoran Zaevi, Zijadin Sela dhe kryetari i ri i Kuvendit Talat Xhaferi. Unë isha atje dhe pashë se çfarë ndodhi”, tha Rexhail Ismaili, Deputet.

Kryetari i klubit të motoçiklistëve “Ujqit e natës”, mbështetës i iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” Lenin Jovanovski ka mirëkuptim për turmën që hyri në Kuvend, sepse siç tha, protestuesit u revoltuan nga zgjedhja e paligjshme e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit, shkruan tv21.tv.

“Nëse jeni legalist – siç jam unë – duhej që zgjedhja e kryetarit të kuvendit të bëhej ashtu siç bëhet në një kuvend. Kur nuk ka votim elektronik, duhet të vijnë shërbimet dhe t’i numërojnë deputetët një nga një dhe të mbahet procesverbal. Unë atë ditë nuk pashë një gjë të tillë”, u shpreh Lenin Jovanovski, Kryetar i Moto klubit “Ujqit e Natës”.

Është dëshpërues fakti se atë ditë, në Kuvend hyrën edhe njerëz në moshë të shtyrë duke sulmuar kë të mbërrinin, u shpreh mbrëmë gazetarja e TV24 Dushica Mrgja.

“Në mesin e atyre njerëzve që sulmonin, ishin edhe dy fqinj të mi. Njëri ia doli të më thotë, “largohu se do të bëhet keq”. Ai është njëri nga të paraburgosurit në burgun e Shutkës. Fqinji tjetër u nis për të më goditur. Më tha: le të shohim tani se çfarë ke për të raportuar”, tha Dushica Mrgja.

Të ftuarit u pajtuan se në interes të qytetarëve të Maqedonisë duhet që sa më parë t’i jepet fund krizës politike./21Media

Back to top button