Aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit 2020” do të vazhdojnë më 28 janar

Aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit 2020” do të vazhdojnë më 28 janar

Shfaqja “A.y.l.a.n” që përfaqësoi nikoqirin, Teatrin e Qytetit të Gjilanit, përmbylli Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2020”, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit.

Juria vlerësuese në përbërje Agim Selimit, regjisor, Visar Krush dramaturg dhe Ekrem Sopi, regjisor, i vlerësuan prurjet e këtij edicioni dhe ndanë çmimet e parapara për këtë Festival.

Kështu, ”Drama më e mirë origjinale e Festivalit”, u vlerësua ajo e Fadil Hysajt, “Shkamat”.“Shfaqja më e mirë e Festivalit” u zgjodh shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit. “Regjia më e mirë e Festivalit”, ishte çmimi që iu nda regjisores Blerta Rrustemi – Neziraj për shfaqjen “a.y.l.a.n”.

Çmimi “Aktorja më e mirë e Festivalit”, i takoi aktores Sheqerie Buqaj, për rolin në shfaqjen “Shkamat”, ndërsa çmimi “Aktori më i mirë i Festivalit”, i takoi aktorit Xhevdet Doda, për rolin në shfaqjen “Shkamat’.

Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit bëri të ditur edhe për disa çmim speciale që do t’i ndajnë e që i bëjnë nderë Teatrit, angazhimi i të cilëve ka bërë që të kenë këtë interesim të madh për teatrin.

Kështu, çmimi “Post Mortum” iu nda aktorit dhe regjisorit Nuhi Matoshit. Një çmim tjetër iu dedikua aktorit Muharrem Sylejmanit. Po ashtu, u ndanë edhe dy mirënjohje: për Burhan Sylejmanin dhe Behajdin Hoxha.

Aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit 2020” do të vazhdojnë më 28 janar, kur do të mbahet Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës”, në sallën e teatrit të qytetit.

Ndërkaq, në ditën e fundit, më 31 janar do të zhvillohen dy aktivitete – Ora e madhe letrare “Pena e  Flakës”, ku do të shpallen edhe rezultatet e konkursit letrar në prozë dhe poezi, si dhe Festivali i këngës popullore “Fest-Flaka”.