Megjithatë ende asgjë nuk është vendosur

Megjithatë ende asgjë nuk është vendosur

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD), i kanë përafruar qëndrimet për një koalicion të mundshëm parazgjedhor, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit, një muaj më parë.

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka bërë të ditur për kallxo.com se të dy partitë kanë qenë në bisedime për një koalicion të mundshëm dhe sipas tij, ka një përafrim qëndrimesh.

“Por asgjë nuk është vendosur ende. Aleanca e ka mbledhjen e Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues të hënën dhe vendimet merren aty. Ma merr mendja që e njejta procedurë zbatohet edhe në PSD”, ka thënë Nitaj.

Ndërkaq, edhe PSD-ja të hënën e javës së ardhshme do të mbledhë Këshillin Drejtues të partisë.Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka bërë të ditur për kallxo.com se aktualisht nuk ka kurrfarë marrëveshje zgjedhore me askënd.

“Ajo çka mund të them është që të hënën mbahet Këshilli Drejtues i PSD-së, ku do të diskutohet lidhur me çështjet zgjedhore. Natyrisht për çdo të re, për çfarëdo marrëveshje, ne do të njoftojmë publikisht”, ka thënë Kuçi.

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë për vetëshpërndarjen e tij më 22 gusht 2019./kallxo.com