AAK i kërkon falje Ish-kryeministrit Mustafa dhe LDK-së

“Mënyra se si është shprehur deputeti Berisha ka qenë e paqëllimtë”

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme ka reaguar pas deklaratave që i ka bërë deputeti i AAK-së, Bekë Berisha për kreun e LDK-së, Isa Mustafën.

Berisha në një emision televiziv ka thënë se “Isa Mustafa është një xhenaze vertikale politike”, kurse sipas LDK-së, kjo do të thotë se Berisha e ka shpallur Mustafën të vdekur.

Pas reagimit të LDK-së, përmes një komunikatë për media Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka kërkuar falje, ish- kryeministrit Isa Mustafës si dhe gjithë partisë për gjuhën e përdorur nga deputeti, Bekë Berisha. Sipas AAK-së, mënyra e të shprehurit nga Berisha ka qenë e paqëllimtë.

“AAK, i kërkon falje Ish-kryeministrit Mustafa dhe LDK-së për gjuhën e përdorur nga deputeti Bekë Berisha. Besojmë se mënyra se si është shprehur deputeti Berisha ka qenë e paqëllimtë! Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e përcaktuar për një gjuhë të kujdesshme në diskursin publik”, shkruhet në komunikatën për media të AAK-së.

LDK është shprehur se kjo parti dhe Kosova kanë përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike nga dora e njerëzve me mendësi dhe vepra kriminale./21Media 

Back to top button