Dy koalicione janë dorëzuar deri më tani

Dy koalicione janë dorëzuar deri më tani

Lulzim Leci sekretar ekzekutiv i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka dorëzuar në KQZ aplikimin për koalicion të dy partive AAK dhe PSD.

Leci deklaroi se ky koalicion do të jetë shpresa e qytetarëve të Kosovës për 4 vitet e ardhshme.

“Sot kemi dorëzuar formularin e pëlqimit të koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate, të cilin e kanë nënshkruar dy kryetarët e subjekteve politike. Shpresojmë dhe besojmë se ky është koalicioni i shpresës për votë tek qytetarët, për një qeverisje katërvjeçare”, tha ai.

Aplikimin për këtë koalicion për RTV21 e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ju konfirmoj se kemi pranuar deklarimin e dytë për Koalicion Parazgjedhor ndërmjet 2 Partive Politike: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate.”, ka deklaruar Elezi.

Para kësaj koalicionin e tyre e kanë deklaruar edhe partitë boshnjake Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka, duke krijuar koalicionin Vakat.

“Kemi pranuar një deklaratë për Koalicion Parazgjedhor me emërtimin: Koalicioni Vakat. Ky koalicion është deklaruar nga 3 Parti Politike nga radhët e komunitetit boshnjak: Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka.”, ka deklaruar Elezi.

Deri në orën 24:00 është afati i fundit për deklarimin e koalicioneve të mundshme, përderisa ende nuk është deklaruar koalicioni Nisma Socialdemokrate – AKR./21Media