Tahiri:  Nuk do të ketë më shumë se dy zëvendës ministra në një ministri

Tahiri:  Nuk do të ketë më shumë se dy zëvendës ministra në një ministri

AAK-PSD ka premtuar se nëse do të vijnë në pushtet do të bëhet reforma e administratës publike në Kosovë për një qeverisje më të mirë. Ky koalicion propozon që qeveria e ardhshme Haradinaj, t’i ketë 15 ministri.

Besnik Tahiri nga AAK, ka thënë se madhësia e qeverisë ka degraduar ndër vite, nga të gjitha qeveritë. Ai ka treguar se janë miratuar tri ligjet bazike për të pasur një qeveri efikase. Sipas tij, Ligji për qeverinë është i përfunduar dhe janë propozuar dy versione, me 12 dhe 15 ministri.

“Unë kam rekomanduar versionin me 15 ministri. Ideja është që asnjë zëvendëskryeministër të mos jetë pa qenë edhe ministër. Pra, nuk do të ketë zëvendëskryeministra pa ministri. Me qeverisjen Haradinaj, nuk do të ketë më shumë se dy zëvendës ministra në një ministri”, ka deklaruar Tahiri.

Ai përmendi edhe ministritë të cilat do të shkrihen në ministritë e linjës.

Ndërsa, Shqipe Pantina nga PSD-ja ka thënë se në qeverinë e ardhshme synohet të fillohet me procesin e digjitalizimit të rekrutimit, për departizim dhe krijim të një administrate profesionale.

“E gjithë kjo reformë do të rritë edhe cilësinë sidomos në arsim dhe shëndetësi. Pjesë e zvogëlimit të qeverisë, do të jenë edhe agjencitë e pavarura”, ka thënë ajo duke shtuar se asnjë punëtor nuk do të largohet nga puna me këtë reformë.