Abazi: Hoti servil i Thaçit

Abazi: Hoti servil i Thaçit

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi ka reaguar pas rrëzimit të Qeverisë Kurti. Në një shkrim në Facebook, Abazi ka shkruar se kjo Qeveri nuk ishte e as nuk është si Qeveritë e kaluara.

“Ka ndryshuar gjithçka, u dëshmua si gjatë dhe pas procesit elektoral. Kjo qeveri ka një të veçantë mbi gjithë veçanësitë e tjera: Legjitimitetin e votës qytetare, si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. E gatshme për përgjegjësi e punë dhe asnjëherë për privilegj. Qeveria e udhëhequr nga Kurti, për herë të parë dhe në vetëm 50-ditë, largoi nga timoni i shtetit krimin dhe korrupsionin politik. Të mbetur duarthatë dhe të frikësuar për çfarë do të ndodhte pas dy – tre muajsh, apo edhe në vitin e parë, krimi siguroi vegëzën e tij brenda qeverisë, nëpërmjet – ish-homologut tim tashmë – zotëri Hoti.”, shkroi ai.

Ai e ka akuzuar ish-zëvendëskryeministrin nga radhët e LDK-së, Avdullah Hotin për prishjen e koalicionit.

“Në karrierën time 20-vjeçare nëpër vende të ndryshme të botës nuk kam takuar njeri të këtillë. Mbështetës e përkrahës i Thaçit dhe servil si brisku, i paepur, që të trishton edhe në distancë. Përgjatë 50-ditëve të punës së kësaj qeverie, Hoti nuk ka dhënë asnjë kontribut, përpos tentimit të përditshëm për t’u përplasur me Minstrat e LVV dhe për të krjuar tension e shkaktuar arsye për konflikt. Do ta kuptoja disi, nëse në nivelin praktik e pragmatik do të donte të bënte një diferencë të butë ndërmejt LVV-së dhe LDK-së për të ruajtur njëfarë identiteti, por e prisja ta bënte në kuadër të suksesit të përbashkët dhe jo përkufizimit të dështimit si qëllim.”, shkroi ai më tej.

Sipas Abazit, Hoti u tremb me largimin e Veliut, pasi si dukej ngeli pa vërtetuesin e fjalëve të tij para Isës dhe Thaçit.

“PO! Shefat e Hotit e të Veliut gjatë gjithë kohës kanë qenë Thaçi dhe Mustafa. Kjo është aresyeja pse Hotit, në rastin më të mirë, i duhen pesë – gjashtë orë për çdo përgjigjje, e në rastin më të keq, pa instruksionet e shefave, nuk përgjigjet fare, as për gjënë më të vogël. Fjalimi i tij dje në kuvend ishte gënjeshter fund e krye. Dje rezultoi mëse qartë, se krimi dhe korrupsioni i frontit Thaçi – Mustafa që vetë janë pjesë e tre kupolave te krimit politiko- financiar,- janë bërë bashkë kundër ndryshimit dhe kundër transformimit që duan qytetarët.”, shkroi ai më tej.

Zëvendëskryeministri Abazi u shpreh se dje u vërtetua se Mustafa është i nënshtruari i Thaçit, për shkak të historikut që zanafillën e ka që nga koha kur ka qenë ministër në qeverinë e Bukoshit.

Mbrëmë deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. 117 deputetë ishin të pranishëm në sallë, ndërsa për votuan 82 deputetë, kundër 32 dhe 2 abstenime. Pas rrëzimit të Qeverisë, Kurti e shkarkoi nga detyra Avdullah Hotin./21Media