Abazi thotë se LDK-ja dje ka bërë presion për të mos u votuar heqja e tarifës

Abazi thotë se LDK-ja dje ka bërë presion për të mos u votuar heqja e tarifës

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se nëse LDK-ja e rrëzon qeverinë, do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme nga presidenti Hashim Thaçi.

“Drejtimi që ka marrë Mustafa, Veliu, Hyseni e dërgojnë LDK në përpirje nga Thaçi dhe Kosovën e dërgojnë në tmerrin që nuk është përjetuar asnjëherë deri më tani. Thaçi-Ndarjen që nuk e bëri dot me shampanjë do ta bëjë me gjak duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, ka shkruar ndër të tjera Abazi në Facebook.

Abazi ka shtuar se dje nga LDK-ja është bërë presion për të mos u hequr tarifa.

“Nga LDK dje është bërë presion për të mos u votuar heqja e tarifës dhe kjo dëshmon që nuk është tarifa por “borxhi” ndaj Thaçit dhe PDK. Veliu dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme janë anët e medaljes së njejtë. Nuk do të ishte korrekte nëse do ta bëja publike një gjë të tillë sikur LDK të ishte korrekte e parimore, sikur të ishte situatë normale, por votuesi i LDK dhe çdo qytetar duhet të kuptoj që taksa është justifikim dhe mburojë dhe asgjë tjetër, qëllimi i vërtet është në ruajtjen dhe mbarvajtjen e një sistemi që ka gllabëruar funksionimin e shtetit“, ka shkruar mes tjerash Abazi.

Abazi në fund ka shkruar se sjellja e papërgjegjshme në këtë kohë të pandemisë dhe rrezikut të lartë për qytetarin dhe bashkëpunimi me PDK, AAK dhe NISMA është treguesi më i mirë që Mustafa, në fakt i ka borxh Thaçit, apo “Thaçi i ka në dorë dosjet e Mustafës për një kohë të gjatë. Shatri mund të ketë të drejtë“.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka hequr taksën ndaj lëndës së parë që importohet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. /21Media