Abdixhiku kërkoi anulim të tenderit për ndërtimin e autostradës Banullë-Dheu i Bardhë

Vlera e paraparë e tenderit ka qenë 110 milionë euro

Ministri i ri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku në konferencën e tij të parë pas marrjes së detyrës bëri të ditur se ka kërkuar nga organet e ministrisë që të fillojë me procedurat e anulimit të tenderit për ndërtimin e autostradës Banullë-Dheu i Bardhë.

Ministri Abdixhiku theksoi se ky projekt do të mund të realizohet vetëm pas miratimit të buxhetit dhe pasi që të shohin se sa është buxheti për infrastrukturë.

Vlera e paraparë e këtij tenderi ka qenë 110 milionë euro.

Ndryshe, më 13 janar të këtij viti, ministria e Infrastrukturës që në qeverisjen e kaluar udhëhiqej nga Pal Lekaj kishte publikuar njoftimin për kontratë me titull: Ndërtimi i Autoudhës A7 kryqëzimi ne disnivel A6, Autostrada A7 Banullë-Dheu i Bardhë, pjesa e udhëkryqit Bresal-Dheu i Bardhë./21Media

Back to top button