Mbështetet amandamenti i bërë nga deputeti i LDK-së

Mbështetet amandamenti i bërë nga deputeti i LDK-së

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sot në Kuvend është mbështetur amandamenti i tij për Ligjin për Kryeqytetin, ku nga tash Prishtina do t’i marr 6% të grantit vjetorë e që në shifra i bije 4 milion euro në vit me mundësi rritje.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur të ju njoftoj se sot në Kuvend u mbështet amandamenti im bërë Ligjit të Kryeqytetit – me të cilin ndryshim Prishtina do t’i marrë 6% të grantit në vend të 4% sa parashihej fillimisht me ligj. Me këtë ndryshim buxhetit të Prishtinës do t’i shtohen edhe nga 4 milion euro tjera në vit – secilin vit – me mundësi rritjeje për aq sa rritet Buxheti i Kosovës”, ka shkruar Abdigjiku në Facebook.

Tutje deputeti ka thënë se për 4 vitet e ardhshme kjo shumë shtesë pritet të kalojë mbi 20 milionë euro dhe se me këto mjete mund të ndërtohen plot rrugë, çerdhe, shkolla apo edhe qendra mjekësore në Prishtinë.

“Prishtina vazhdon të jetë kontribuesi më i madh i Buxhetit të Kosovës; por njëkohësisht përfituesi më i pakët i investimeve kapitale. E pavarësisht bindjeve politike, Kryeqyteti mbetet i të gjithëve dhe duhet të trajtohet si i tillë. Dhe ky është një kontribut modest i imi për Prishtinën; qytetin ku kam lindur – qytetin që m’ka rritë me plot sfida e plot dashni. Në emër të banorëve të Prishtinës, falenderoj secilin në Komision për Administratë Publike që mbështeti amandamentin tim”, thuhet në postimin e deputetit

Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar deputetët e Kuvendit kishin miratuar në parim projektligjin për Prishtinën./21Media