Grabovci beson në drejtësi

Grabovci beson në drejtësi

Ish-shefi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci ka thënë se nuk dëshiron të merret me vendimin e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me refuzimin e vizave.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Grabovci ka thënë se nuk do ta komentojë këtë vendim të lëshuar sot nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Ai është shprehur se beson në drejtësi dhe se të gjithë rastin për të cilin ai akuzohet thotë se ia ka lënë drejtësisë të merret me të .

Hiq, hiq nuk kam kurrfarë komenti, unë ja kam lanë atë punë drejtësisë edhe drejtësia le të merret me të derisa të përfundon, unë ja kam lan drejtësisë edhe besojë në drejtësi, ditën e mirë”, ka thënë Grabovci për Insajderin.

Nëpërmjet një njoftimi për media Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë me dije se personat që janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit nuk do të mund të marrin viza për të udhëtuar në Amerikë.

Ambasada ka përmendur me emër rastet Pronto, rastin e vizave italiane, ikjen nga burgu i Dubravës, rastin Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme.

Ndërsa anëtari i PDK-së, Adem Grabovci është njëri prej protagonistëve të aferës “Dosja e Shefave” për të cilën Gazeta Insajderi kishte shkruar gjatë vitit 2016.

Fuqia e tij dhe strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës dëshmohet me një seri përgjimesh telefonike që ka siguruar Insajderi. Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, ai kishte punësuar qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Lidhur për këtë Grabovci akuzohet se së bashku me 10 zyratarë tjerë të afërt me PDK-në kanë kryer veprën penale “sheklje e statusit të barabartë të shtetsave dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”. /Insajderi