“Adria Airways” s’do të operojë as sot as nesër

Falimenton kompania e aeroplanëve

Kompania ajrore “Adria Airways” ka njoftuar se do të vazhdojë të suspendojë pjesën më të madhe të operimeve duke përfshirë ato për në/nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” gjatë ditës së enjte, 26 shtator dhe të premten, 27 shtator 2019.

“Duke iu kërkuar falje udhëtarëve të saj, kompania ajrore “Adria Airways“ ka ripërsëritur këshillën ndaj udhëtarëve që afektohen nga këto suspendime që të kontaktojnë agjencitë ku i kanë blerë biletat”, thuhet në komunikatën e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës shton se është duke e monitoruar në vazhdimësi situatën e krijuar rreth operimit të kësaj kompanie dhe do t’ju informojë për zhvillimet e reja.

Linja ajrore kishte thënë se mungesa e fondeve e ka detyruar atë të marrë këtë vendim.

Bisedimet në lidhje me një investim për të shpëtuar operacionet e “Adria Airways” kishin dështuar. Kërkesa e kompanisë ajrore për një kredi shpëtimi prej katër milionë eurosh nga qeveria sllovene u refuzua.

Linja ajrore e themeluar në vitin 1961 punëson gjithsej 558 njerëz dhe është pjesë e Star Alliance që nga viti 2004. Ajo mbart më shumë se 1 milion pasagjerë në vit dhe përdor programin e shpeshtë të fluturimeve të Lufthansa “Miles & More”.

Kujtojmë se kompania ajrore “Adria Airways” ka suspenduar fluturimet edhe më 24 dhe 25 shtator./21Media

Back to top button