Aeroporti i Prishtinës arrin shifrën 2 milionë udhëtarë brenda një viti

U shpërblye udhëtari i 2 miliontë

Me rastin e arritjes së shifrës prej mbi 2 milionë udhëtarë brenda një viti për herë të parë në historinë e aeroportit është përzgjedhur edhe udhëtari i 2 miliontë, me ç’rast ai është shpërblyer edhe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Kryeshefi ekzekutiv i fluturimeve, Gokmen Aritai e quajti si arritje shumë të rëndësishme këtë për aeroportin, duke shtuar se kjo është festë historike për operimet e tyre.

“Sot jemi mbledhur këtu që të shënojmë edhe një arritje shumë të rëndësishme  në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Është kënaqësi e imja që të mirëpres udhëtarin e  dy milionët të aeroportit të Prishtinës dhe kjo shënon një festë historike në operimet tona.  Natyrisht që këto arritje të mëdha janë të përbashkëta me Ministrinë e e Infrastrukturës, Ministrinë e Financave  me Ministrinë e Punëve të Brendshme me Policinë e Kosovës  dhe me Doganat e Kosovës dhe me të gjitha palët tjera të interesit, të cilat  punojnë bashkë me ne, për të pasur një mjedis sa më efikas  për pasagjerët tanë”, tha ai.

Aritai tha se numri i udhëtarëve është gjithmonë në rritje, ku sipas tij është sukses i jashtëzakonshëm për aeroportin. Po ashtu, ai tha se projekti i Aeroportit të Prishtinës është nga më të suksesshmit në botë dhe rajon sa i përket privatizimit.

Ndërsa, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u shpreh se në fundvit janë duke shënuar një sukses të aeroportit, ku sipas tij është mesazh për të gjitha kompanitë dhe investitorët që Kosova është mundësi e mirë për investime.

“Ky aeroport ka pasur sukses gjatë këtij viti  dhe është certifikuar  si Aeroport Ndërkombëtar, po ashtu ne kemi bërë investime edhe në zgjatjet e pistës që për ju qytetar të nderuar që të kujdesemi  dhe të keni një udhëtim të sigurt, prandaj ne po e them, ky fundvit, është fundvit i sukseseve tona të përbashkëta që unë e përgëzoj me menaxhmentin  për një punë të shkëlqyer dhe ju them nga këtu që ne do të jemi mbështetës të fuqishëm të gjithë atyre punëtorëve të zellshëm, por edhe të kompanive që të kenë hapësirë të veprimit dhe të jenë storie e suksesit”, tha Lekaj.

Naser Sadriu, i cili jeton në Zvicër është përzgjedhur si udhëtari i dy miliontë, me ç’rast edhe është shpërblyer nga kompania.

“Ju falënderoj për këtë shpërblim dhe gjitha të mirat, Kosova inshAllah ec përpara”, ka shtuar ai.

 

Back to top button