Afro 400 veta në burg për hajni

Mbi 4 mijë raste të vjedhjeve e grabitjeve brenda vitit

Grabitjet e armatosura e vjedhjet në Kosovë nuk po ndalen. Së fundmi, cak i hajnave ishte një shtëpi në fshatin Pasjak të Novobërdës. Sipas policisë dje rreth orës 18:00 nga ajo shtëpi është vjedhur një pistoletë me leje, dy karikatorë me 16 fishekë të cal.9 mm.

Ditë më parë ka ndodhur një rast i grabitjes me armë në fshatin Shkabaj në Prishtinë. Viktima ka raportuar në polici se derisa ishte duke vozitur, një grup prej tre personash ia kanë bllokuar rrugën dhe ia kanë grabitur paratë dhe dokumentet personale.

Në raportin e policisë pothuajse çdo ditë ka raste të tilla.

21Media ka siguruar statistika nga Policia e Kosovës për rastet e vjedhjeve në Kosovë. Vetëm në vitin 2019 janë raportuar 4 mijë e 519 raste të vjedhjeve. Ku 3 mijë e 803 janë vjedhje të rënda, ndërsa 171 raste të tjera janë grabitje të armatosura.

Policia për 21Media ka treguar se rastet e vjedhjeve në vitin 2019 kanë shënuar ulje për 22.64% në krahasim me vitin 2018. Në vitin 2018 kishin ndodhur 5 mijë e 842 vjedhje.

Ndërsa, sa persona vuajnë dënimin për vepra të tilla, 21Media ka siguruar të dhëna nga Shërbimi Korrektuese e Kosovës. Sipas tyre për vjedhje e grabitje aktualisht janë të burgosur rreth 400 persona.

“Në institucionet korrektuese të Kosovës për veprën penale vjedhje ose grabitje e armatosur, aktualisht janë duke mbajtur dënimin 384 persona”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës duke shtuar se këta persona janë të dënuar nga 10 ditë deri në 25 vjet.

Mosha mesatare e personave që vuajnë dënimin në 11 Qendrat Korrektuese të Kosovës është nga 16 deri në 46 vjeç. Por, ka edhe të mitur.

“Po ka vetëm një të dënuar të mitur për veprat në fjalë”, ka konfirmuar Shërbimi Korrektues i Kosovës./21Media

Back to top button