AGK kërkon nga gazetarët që t’u përmbahen kritereve themelore profesionale

AGK kërkon nga gazetarët që t’u përmbahen kritereve themelore profesionale

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thekson se ka përcjellur me vëmendje raportimin në mediet online për gruan që u sulmua për të dytën herë në Ferizaj.

AGK-ja shpreh shqetësimin e saj lidhur me plasimin e lajmeve të paverifikuara, të cilat sjellin pasoja si në rastin e gruas, për të cilën është raportuar si e “rrezikshme” dhe që “po kidnapon fëmijë”.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, kjo formë e raportimit është shkelje e të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim me standardet profesionale gazetareske dhe Kodin e Etikës.

AGK kërkon nga kolegët gazetarë që në raste të ndjeshme si kjo, por edhe në raste të tjera t’u përmbahen kritereve themelore profesionale dhe etikës së gazetarisë, që fillimisht të hulumtohen faktet, të kontaktohen organet përgjegjëse dhe pastaj të plasohen lajme.

Po ashtu, AGK e kupton rolin e medieve online për të plasuar informacione të shpejta dhe me përmbajtje sensacionale, shpeshherë nën një lloj presioni komercial, por, kjo sipas AGK-së nuk nënkupton mos respektimin e parimeve bazë të profesionit, e që gazetarët kanë një përgjegjësi ndaj audiencave të tyre.

Video e publikuar në rrjetet sociale paraqet një të ri, i cili e rrahë brutalisht gruan, për të cilën është thënë kohëve të fundit se është e rrezikshme, gjë e cila është mohuar nga Policia e Kosovës.